Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken fillon sot një vizitë në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë Izraelin dhe disa shtete arabe. Vizita e Sekretarit Blinken, e njëmbëdhjeta në rajon që nga fillimi i luftës në Gazë, vjen ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po hetojnë rrjedhjen e dokumenteve rreth planeve të Izraelit për një sulm hakmarrës ndaj Iranit, si dhe pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Jahja Sinuar, që zyrtarët amerikanë shpresojnë do të krijojë një moment të ri për një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Ushtria izraelite goditi sot institucionin kryesor financiar të Hezbollahut në Liban, ndërsa grupi militant vazhdoi sulmet me raketa në pjesën veriore të Izraelit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken fillon të hënën një vizitë një javore në Lindjen e Mesme në përpjekje për të ringjallur procesin e negociatave për arritjen e armëpushimit në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi në një kohë kur Izraeli po planifikon një sulm hakmarrës ndaj Iranit.
Sekretari Blinken do të vizitojë rajonin ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po hetojnë publikimin e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara që vlerësojnë planet e Izraelit për të sulmuar Iranin. Dokumentet, që besohet se i takojnë Agjencisë Kombëtare të Zbulimit Gjeohapësinor dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, tregojnë se Izraeli ende po përgatit pajisjet e veta ushtarake për një sulm ndaj Iranit. Këto dokumente të klasifikuara ‘tepër sekrete’ u postuan fillimisht në platformën ‘Telegram’. Hetimet synojnë të zbulojnë se kush kishte qasje në këto dokumente dhe si u realizua një gjë e tillë, sipas zyrtarëve amerikanë.
Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, Sekretari Blinken do të diskutojë gjatë vizitës së tij planet për periudhën pas konfliktit dhe të theksojë nevojën “për gjetjen e një zgjidhjeje që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lirë nga tirania e Hamasit”, siç tha ai.
Gjatë takimeve në rajon, Sekretari Blinken pritet të kërkojë rritjen urgjente të ndihmës humanitare në Gazë, pas paralajmërimeve të javës së kaluar se administrata e Presidentit Biden do të detyrohet të kufizojë ndihmat ushtarake për Izraelin nëse vazhdon të pengojë futjen e ndihmës humanitare në Gazë.
Zyrtarët amerikanë shpresojnë që vrasja e udhëheqësit të Hamasit Jahja Sinuar të krijojë një mundësi të re për armëpushim në Gazë, që mund të ndikojë edhe tek përpjekjet për të frenuar zgjerimin e konfliktit në Liban.
Sekretari Blinken po ashtu do të theksojë rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit të përshkallëzuar ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
Të hënën në Bejrut shkoi edhe Këshilltari i lartë i Presidentit Biden, Amos Hochstein, i cili bëri thirrje për një mekanizëm të ri të zgjidhjes së konfliktit, duke thënë se rezolutat e Kombeve të Bashkuara që i dhanë fund luftës së Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, janë të pamjaftueshme në kushtet aktuale.
“Rezoluta 1701 arriti t’i japë fund luftës së vitit 2006. Por duhet të jemi të sinqertë se askush nuk bëri asgjë për ta zbatuar atë. Moszbatimi i saj ndër vite kontribuoi që sot të kemi këtë konflikt që kemi. Nuk mjafton që dyja palët të jenë të përkushtuara ndaj kësaj rezolute,” deklaroi ai.
Gjatë natës, shpërthime të fuqishme ndodhën në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Bejruti. Qindra banorë të kryeqytetit libanez u larguan nga shtëpitë e tyre ndërkohë që Izraeli goditi dhjetëra degë të një institucioni financiar të Hezbollahut në Bejrut dhe pjesë të tjera të Libanit dhe Hezbollahu vazhdoi sulmet me raketa në pjesën veriore të Izraelit./VOA
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...