Vendimi i Presidentit Joe Biden për të bllokuar blerjen e kompanisë amerikane të çelikut ‘US Steel’ nga kompania japoneze ‘Nippon Steel’ për 14.9 miliardë dollarë, krijon hije mbi vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Japoni, i cili gjendet në Japoni, për takime lamtumire me aleatin më të rëndësishëm të Uashingtonit në Azi.
Vendimi i bërë publik të premten për të hedhur poshtë marrëveshjen e propozuar, troditi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të forcuar marrëdhëniet me aleatët aziatikë, në një kohë që kriza politike në Korenë e Jugut mund të ndërlikojë marrëdhëniet e rigjallëruara mes Uashingtonit, Seulit dhe Tokios. Aleanca trepalëshe është një element kyç në përpjekjet e tre vendeve për të kundërshtuar forcimin ushtarak të Kinës.
Mund të ndodhë që të ketë frenim të investimeve në Shtetet e Bashkuara, por analistët besojnë se ka të ngjarë që dëmtimi i marrëdhënieve SHBA-Japoni të jetë i kufizuar, duke mbajtur parasysh shqetësimet e përbashkëta të sigurisë lidhur me Kinën.
Të hënën, kryeministri i Japonisë Shigeru Ishiba e cilësoi vendimin e Presidentit Biden për bllokimin e shitjes së kompanisë U.S Steel tek japonezët Nippon Steel si “të vështirë për t’u kuptuar”.
I shoqëruar nga Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, Sekretari Blinken takoi Ministrin e Jashtëm të Japonisë Takeshi Iwaya në Tokio dhe po ashtu do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Ishiba dhe zyrtarë të tjerë të lartë japonezë.
Udhëtimet e shumta në Japoni gjatë katër viteve të fundit “janë dëshmi jo vetëm e vëmendjes, por rëndësisë së lartë që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara partneritit tonë. Presidenti Biden më kërkoi të vija në këtë udhëtim të fundit për ta nënvizuar këtë”, i tha Sekretari Blinken homologut japonez Iwaya.
“Ne kemi një partneritet që filloi duke u fokusuar në çështjet dypalëshe, që dha rezultat më pas në çështjet rajonale dhe që tani është plotësisht global”, shtoi Blinken.
Të hënën, gjatë qëndrimit në Seul, Sekretari Blinken ripohoi se besonte se Koreja e Jugut është në gjendje të menaxhojë trazirat e saj politike, në një kohë që hetuesit në vend, kërkuan zgjatjen e udhër-arrestit për të prangosur Presidentit e shkarkuar Yoon Suk Yeol.
Aleatët e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë siguruar gjithashtu Seulin dhe Tokion se ai do të mbështesë vazhdimin e forcimit të marrëdhënieve dhe përparimin e bashkëpunimit ushtarak, ekonomik dhe diplomatik për të kundërshtuar Kinën dhe Korenë e Veriut, raportoi agjencia e lajmeve Reuters përpara fitores së zotit Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Kompania japoneze e çelikut Nippon Steel dhe ajo amerikane US Steel ngritën një padi të hënën me argumentin se Presidenti Joe Biden shkeli Kushtetutën amerikane duke bllokuar bashkimin e tyre nën argumentin e cënimit të sigurisë kombëtare, që ato e cilësuan si “argument të sajuar”.
Dy kompanitë i kërkuan Gjykatës Federale ta anulojë vendimin.
Nicholas Szechenyi, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, tha se vendimi i Presidentit Biden do ta bëjë vizitën e zotit Blinken në Tokio “të sikletshme”./VOA
FFK organizon kursin e radhës të trajnerëve për Licencën B
“Turp”, Stresi kritikon banorët e Big Brother Vi...
Ministri Vitia jep detaje rreth vaksinimit me vaksinën HPV p...
Shitet në ankand letra e Princeshës Diana, zbulon si ishte d...
Policia realizon kontroll në sigurimin DUNAV në veri bashkë ...
EULEX i dhuron një veturë IML-së