Sekretari i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi një vizitë të papritur në Ramallah ku u takua me udhëheqësin e autoritetit palestinez, Mahmud Abbas. Takimi vjen ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të jenë të larta.
Në një njoftim pasditen e së dielës, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se Sekretari Blinken bëri të qartë gjatë bisedimeve në Ramallah se palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se gjatë takimit, udhëheqësi u autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas kërkoi një armëpushim të menjëhershëm izraelit, shkruan Reuters&Ap, përcjell Rtsh.
Po sot kryeministri izraelit, Benjamin Netannyahu tha se kërkesa për armëpushim nuk do të merret parasysh derisa të lirohen të gjithë personat e marrë peng nga Hamasi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me Presidentin e Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas të dielën gjatë një vizite të paparalajmëruar në Bregun Perëndimor. Ai riafirmoi angazhimin amerikan për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të rifilluar shërbimet thelbësore në Gazë ndërsa lufta e Izraelit kundër Hamasit vazhdon.
Në një njoftim pasditen e së dielës, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller tha se Sekretari Blinken bëri të qartë gjatë bisedimeve në Ramallah se palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.
“Sekretari Blinken dhe zoti Abbas diskutuan përpjekjet për të rikthyer qetësinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor, përfshirë nevojën për të ndaluar dhunën ekstremiste kundër palestinezëve dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që sulmojnë palestinezët”, tha zoti Miller.
“Sekretari Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për avancimin e masave të barabarta të dinjitetit dhe sigurisë si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët. Sekretari Blinken shprehu gjithashtu angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të punuar drejt realizimit të aspiratave legjitime të palestinezëve për krijimin e një shteti palestinez”, shtoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se gjatë takimit, udhëheqësi u autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas kërkoi një armëpushim të menjëhershëm izraelit pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë se dhjetëra njerëz kishin humbur jetën gjatë sulmit në një kamp refugjatësh të shtunën në mbrëmje. Sekretari Blinken ka bërë thirrje për pauza humanitare në konflikt, diçka që Izraeli e ka refuzuar deri më tani.
Zoti Abbas dënoi bombardimet e Izraelit në Gazë, akuzoi Izraelin për gjenocid dhe i kërkoi Sekretarit Blinken që një gjë e tillë “të ndalet menjëherë”, thuhej më tej në njoftimin e agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA.
Një ditë më parë Sekretari Blinken e bëri të qartë që SHBA, megjithë trysninë e vendeve arabe, nuk përkrah një armëpushim në luftën Izrael – Hamas. Uashingtoni mendon se një gjë e tillë do të ndihmonte vetëm grupin militant palestinez, të cilën perëndimi e konsideron organizatë terroriste.
Zyrtarët arabë thanë se ishte shumë herët për të diskutuar një nga pikat kryesore të agjendës së sekretarit Blinken, të ardhmen e Gazës pas luftës. Ndalimi i vrasjeve dhe rivendosja e ndihmës së qëndrueshme humanitare janë të menjëhershme dhe duhet te trajtohen pikë së pari, thanë ata.
Shtetet arabe po u rezistojnë sugjerimeve amerikane për një rol më të madh të tyre në zgjidhjen e krizës, duke shprehur zemërim për numrin e civilëve të vrarë në operacionet ushtarake izraelite, dhe duke pohuar se Gaza është një problem kryesisht i krijuar nga Izraeli.
Por, zyrtarët amerikanë besojnë se mbështetja arabe, sado modeste, do të jetë thelbësore në përpjekjet për të lehtësuar kushtet e përkeqësuara në Gaza dhe për të hedhur themelet për atë që do të zëvendësonte Hamasin si autoritet qeverisës të territorit, nëse dhe kur Izraeli do të ketë sukses në çrrënjosjen e grupit.
Idetë për qeverisjen e ardhshme të Gazës janë ende të pakta. Sekretari Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë po ofrojnë një përshkrim të paqartë që mund të përfshijë një kombinim të ripërtëritjes se Autoritetit Palestinez së bashku me organizatat ndërkombëtare dhe një forcë paqeruajtëse të mundshme. Zyrtarët amerikanë pranojnë se këto ide janë përballur me një mungesë të dukshme entuziazmi.
Po sot Kryeministri izraelit Benjamin Netannyahu e ka bërë të qartë sërish se kërkesa për armëpushim nuk do të merret parasysh derisa të lirohen të gjitha pengjet të kapur nga Hamasi.
“Dua ta dini se ka një gjë që nuk do ta bëjmë, nuk do të ketë armëpushim pa kthimin e pengjeve tanë, hiqeni këtë ide plotësisht nga fjalori. Këtë ua themi armiqve dhe miqve tanë dhe thjesht do të vazhdojmë derisa të fitojmë. Nuk kemi alternativë”, tha kryeministri izraelit Netanyahu ndërsa vizitoi trupat ushtarake të vendit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ndërmori të dielën masa ndaj një anëtar të ri të kabinetit të tij, i cili dukej se u shpreh hapur në mbështetje të idesë që Izraeli të kryente një sulm bërthamor në Gazë.
Zyra e Netanyahut lëshoi një deklaratë duke thënë se Ministri i Trashëgimisë Amihay Eliyahu, nga një parti e ekstremit të djathtë në qeverinë e koalicionit, ishte pezulluar nga mbledhjet e kabinetit “deri në një njoftim tjetër”.
I pyetur në një intervistë radiofonike për një opsion hipotetik bërthamor, zoti Eliyahu ishte përgjigjur: “Kjo është një mundësi”.
Vërejtja e tij nxiti reagimin e ashpër nga e gjithë bota arabe, skandalizoi mediat kryesore izraelite dhe u kundërshtua nga të paktën një zyrtar amerikan. Megjithë përkrahjen për Izraelin, vendet perëndimore po vazhdojnë trysninë mbi Izraelin që të ketë kujdes të shtuar për të shmangur viktimat në civilë.
Ministrja e jashtme franceze, gjatë vizitës në Doha të Katarit u shpreh e indijuar me numrin e madh të civilëve që janë vrarë gjatë sulmeve izraelite.
“Lufta kundër terrorizmit duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Është një detyrim për të mbrojtur civilët veçanërisht shkollat, spitalet, personelin humanitar, gazetarët gjithashtu duhet të mbrohen. Popullsia civile palestineze nuk duhet të paguajë për krimet e Hamasit”, tha Catherine Colonna, ministre e jashtme e Francës gjatë vizitës në Doha të Katarit.
Ushtria izraelite publikoi të dielën imazhe nga tanket dhe ushtarët izraelit brenda Rripit të Gazës ndërsa operacioni tokësor i tyre po vazhdon.
Në video, ushtarët shihen duke ecur mes rrënojave, tankeve dhe shpërthimeve të mëdha.
Izraeli vazhdoi të sulmonte Rripin e Gazës nga ajri, deti dhe toka gjatë natës. Zyrtarët e shëndetësisë në Rripin e Gazës thanë se sulmet ajrore izraelite shkatërruan një grup shtëpish në kampin e refugjatëve Maghazi në Gazën qendrore, ndërsa numri i viktimave vazhdon të jetë temë debati pasi të dhënat e zyrtarëve të Hamasit nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura.
Zyrtarët palestinezë thonë se deri të shtunën pothuajse 9500 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori, kur luftëtarët e Hamasit nisën një sulm të befasishëm në Izraelin jugor.
Të dielën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken u ndal shkurtimisht në Qipro ku sipas zyrtareve qipriot u diskutua një propozim për të krijuar një korridor detar ndihme për Gazën. Ai u takua me presidentin qipriot Nikos Christodoulides në bordin e avionit të tij.
Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme si dhe propozimi i Qipros për një korridor detar për ndihma humanitare nga Qiproja për civilët në Gazë, tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë qipriote.
Zoti Blinken bëri një ndalesë të paparalajmëruar në aeroportin e Larnakës ndërsa është rrugës për në Turqi, një nga ndalesat gjatë vizitës në rajon. Zoti Blinken do të takohet me Presidentin turk Recep Tayip Erdogan të hënën.
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...