Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken filloi të hënën një vizitë në Lindjen e Mesme ndërkohë që shanset për arritjen e marrëveshjes së propozuar të armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit mbesin të paqarta pas shpëtimit dramatik të katër pengjeve gjatë fundjavës në Gazë. Kjo është vizita e tetë e Sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme që kur filloi konflikti në tetor dhe vjen në një kohë kur numri i viktimave palestineze, sipas autoriteteve në Gazën e sunduar nga Hamasi, ka kaluar shifrën prej 36,000 të vrarëve dhe thellimit të përçarjeve në qeverinë e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken filloi vizitën në Lindjen e Mesme në Kajro të hënën, ku po takohet me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi, para se të udhëtojë në Izrael, Jordani dhe Katar ku pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të këtyre shteteve.
Sekretari Blinken tha se po nxit udhëheqësit rajonalë të ushtrojnë trysni ndaj Hamasit që të pajtohet me propozimin për armëpushim për t’i pezulluar luftimet në Gazë.
Sipas zotit Blinken, tani Hamasi përbën të vetmin përjashtim në kundërshtimin e planit.
Ai rikthehet në rajon në një periudhë me shumë paqartësi: Hamasi ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare rreth propozimit të armëpushimit, të cilin e ka pranuar para 10 ditësh, shpëtimit të pengjeve në një operacion që shkaktoi vdekjen e shumë civilëve palestinezë dhe dorëheqjes së partnerit të koalicionit qeveritar në Izrael, politikanit Benny Gantz.
Gjatë takimeve me Presidentin egjiptian dhe udhëheqësit e Katarit, të cilët po ndërmjetësojnë në negociatat me Hamasin, zoti Blinken theksoi rëndësinë e përpjekjeve për të bindur grupin militant, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, që të bjerë dakord me planin me tre faza, që është pjesë e diskutimeve. Plani parashikon lirimin e më shumë pengjeve dhe një pezullim të përkohshëm të luftimeve që mund të çojë në tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan të dielën komentoi këto zhvillime në emisionin “This Week” të televizionit amerikan ABC.
“Është e vështirë të thuhet se si Hamasi do ta vlerësojë këtë operacion dhe se çfarë ndikimi do të ketë ai mbi vendimin e kësaj organizate për ta pranuar apo hedhur poshtë planin. Deri tani nuk kemi një përgjigje zyrtare nga Hamasi. Shpresojmë që nëse e tërë bashkësia ndërkombëtare do të flasë me një zë, Hamasi do të arrijë tek një përfundim i duhur,” deklaroi ai.
Por Hamasi mund të mos jetë pengesa e vetme drejt arritjes së armëpushimit.
Ndonëse propozimi është përshkruar si nismë izraelite dhe mijëra izraelitë kanë shprehur përkrahjen e tyre për të, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur skeptik, duke thënë se ajo që është prezantuar publikisht rreth planit është e pasaktë. Ai ka kundërshtuar thirrjet që Izraeli të ndalë luftë, duke këmbëngulur në shkatërrimin e Hamasit.
Në prag të takimit me Sekretarin Blinken në Izrael, zoti Netanyahu u zotua sërish të vazhdojë luftën deri në arritjen e këtij qëllimi.
“Jemi të angazhuar për një fitore të plotë. Nuk duam dhe nuk do ta braktisim atë pjesë jo vetëm për shkak të flijimit të njerëzve tanë të mrekullueshëm, por për shkak se bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit dhe nuk kemi zgjidhje tjetër”, deklaroi zoti Netanyahu./VOA
Edi i hedh kunja Gjestit: Burri që o burrë duhet me i peshu ...
Xheneta për Gjestin: Kur ka kajt për mua, me ka bërë krenare...
Gjykata Kushtetuese konfirmon një nga masat e sigurisë ndaj ...
Brazil, ish-presidenti akuzohet për “grusht shteti” kundër d...
Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, ...
Deklarata e Drenushës për Xhenetën, shkakton debat të zhurms...