Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkon sot në Gjermani ku do të marrë pjesë në një konferencë mbi situatën në Libi si dhe në diskutime me homologun gjerman mbi mënyrat për të luftuar anti-semitizmin dhe teoritë që mohojnë ekzistencën e Holokaustit.
Gjermania dhe Kombet e Bashkuara janë organizatore të konferencës së Berlinit për të dalë me zgjidhje që do të sillnin fundin e konfliktit në Libi dhe do të stabilizonin vendin.
I dërguari amerikan për Libinë, Richard Norland tha se bisedimet do të ofronin një mundësi për hapa specifikë që do të mundësonin zhvillimin e zgjedhjeve në dhjetor, si dhe krijimin e bazës kushtetuese e ligjore për votime.
Libia është përfshirë nga destabiliteti politik që nga kryengritja e mbështetur nga NATO-ja në 2011, e cila rrëzoi sundimtarin Moamar Gadafi. Vendi ka qenë i ndarë në rajone, që qeveriseshin nga autoritete të ndryshme deri në arritjen e marrëveshjes së tetorit, në bazë të së cilës të gjithë luftëtarët e huaj duhet të largoheshin nga Libia brenda tre muajsh.
Në diskutime do të analizohen masa për të pastruar vendin nga forcat e huaja që nuk janë larguar ende si dhe shqetësimet për praninë e rrjeteve terroriste si Shteti Islamik.
Zyrtarë të Departamentit të Shtetit gjithashtu folën për nevojën për t’iu kundërvënë teorive që mohojnë ekzistencën e Holokaustit. Përfaqësuesja amerikane për Çështjet e Holokaustit, Cherrie Daniels thekson nevojën e një informimi më të mirë mbi këtë periudhë të errët, pasojat dhe origjinën e saj në mënyrë që zyrtarët qeveritarë dhe publiku i gjerë “të dallojnë si shfaqet anti-semitizmi dhe të gjitha format e tjera të urrejtjes në ditët tona” dhe t’u bëjnë qëndresë.
Zoti Blinken do të shkojë më pas në Romë për bisedime me homologun italian Luigi Di Maio lidhur situatën në Siri.
Më pas në Francë, ai do të takohet me Presidentin Emmanuel Macron për të ritheksuar mesazhin e Presidentit Biden për forcimin e marrëdhënieve transatlantike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë edhe Vatikanin për takime me temë luftën kundër ngrohjes globale dhe trafikut me njerëz.
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?