Së paku pesë njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qytetin Rafah në Rripin e Gazës të enjten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Në mesin e të vrarëve në sulmet e mëngjesit të së enjtes ishin edhe dy fëmijë, të identifikuar nga regjistrat spitalore si Sham Najjar, 6 vjeç, dhe Jamal Nabahan, 8 vjeç.
Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, prej 2.3 milionë, ka kërkuar strehim në Rafah, ku Izraeli po kryen sulme pothuajse ditore teksa po përgatitet për një pushtim tokësor të qytetit.
Pak ditë më parë, një foshnjë u nxor e gjallë përmes prerjes cezariane nga barku i një gruaje palestineze, e cila u vra nga një sulm izraelit në Rafah.
Ndërkohë, në Gazën qendrore u vranë katër njerëz nga granatimet izraelite me tanke. Familjarët e tyre thanë për Associated Press se ata u vranë derisa po tentonin të zhvendoseshin në veri të Gazës, ku ushtria izraelite po përpiqet të mos i lejojë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën një ligj me ndihmë rreth luftës në vlerë 95 miliardë dollarë, i cili i përfshin 9 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Gazën, për të cilën ekspertët thonë se është buzë urisë absolute, si dhe miliarda të tjerë ndihmë për Izraelin.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi palestinezë u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./rel
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?