Së paku 7 të vdekur nga zjarri në një klub nate në Spanjë

12:33 | 1 Tetor 2023
E.H

Së paku shtatë njerëz kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate në Murcia në juglindje të Spanjës, njoftoi kryetari i këtij qyteti, Jose Ballesta.

Ai shtoi se ekipet e shpëtimi janë ende duke kërkuar njerëz të zhdukur pas shpërthimit të zjarrit.

Zjarri nisi në orët e hershme të së dielës në klubin e natës Teatre në Atalayas, në periferi të qytetit, njoftoi shërbimi emergjent në rrjetin social X.

Në pamjet e publikuara nga shërbimi emergjent shfaqën zjarrfikësit duke tentuar ta shuajnë zjarrin brenda klubit të natës. Zjarri e ka shkatërruar një pjesë të kulmit.

“Numri i të vdekurve brenda klubit të natës në Atalayas ka arritur në shtatë”, tha Jose Ballesta.

“Ndihemi të shkatërruar”, tha ai për televizionin spanjoll 24h, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po i kërkojnë ende personat e raportuar si të zhdukur.

Ai tha se zjarri ishte ndezur rreth orës 6:00 të dielën dhe se zjarri është vënë nën kontroll tani.

Ballesta theksoi se nuk dihet shkaktari i zjarrit dhe se ekipet po punojnë për ta kuptuar këtë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme