Google ADS

Së paku 12 të vrarë nga një shpërthim në Dagestan të Rusisë

11:48 | 28 Shtator 2024
E.K

Së paku 12 njerëz, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi dhe një zjarri pasues në një pikë karburanti në rajonin e Dagestanit në Rusi, njoftuan autoritetet ruse të shtunën.

Ministria e Emergjencave e Rusisë tha se 11 njerëz të tjerë janë lënduar.

Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, tha zëvendësministri rus i Shëndetësisë, Aleksei Kuznetsov, për mediat ruse. Zjarri u shua më vonë.

Shpërthimi ndodhi në një pikë karburanti në periferi të kryeqytetit rajonal, Makaçkala, afër fshatit Novi Kushet, tha Ministria e Emergjencave.

Makaçkala ndodhet rreth 1.600 kilometra në jug të Moskës.

Ministria tha se pika e karburantit është shkatërruar plotësisht.

“Pika e karburantit dhe mensa po digjen në një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë. Dy makina dhe një kamion janë dëmtuar”, tha Ministria në Telegram.

Sipas furnizuesit lokal të energjisë, Dagenergo, objektet e energjisë në zonën e shpërthimit janë dëmtuar dhe furnizimi me energji është ndërprerë në zonat përreth.

Sipas shërbimeve të emergjencës, të cituara nga agjencitë e lajmeve ruse, është duke u bërë pastrimi i rrënojave në vendngjarje dhe mund të ketë njerëz të varrosur nën rrënoja.

Departamenti i Komitetit Hetimor të Dagestanit hapi një hetim për neglizhencë dhe mënyrën se si janë respektuar rregullat e sigurisë në pikën e karburantit.

Autoritetet shpallën 28 shtatorin ditë zie në kujtim të viktimave të shpërthimit, raportoi shërbimi për shtyp i Dagestanit.

Agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar prokurorinë e Dagestanit, tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 lokale, më 27 shtator.

Kanali Telegram Shot raportoi se kishte dy shpërthime.

Në gusht të vitit të kaluar, një shpërthim i madh në një pikë karburanti vrau 35 persona dhe plagosi 113 të tjerë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme