Së paku 100 njerëz kanë vdekur dhe 150 të tjerë janë lënduar si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një dasmë në veri të Irakut.
Qindra njerëz po festonin në Al-Hamdaniya në provincën veriore të Irakut, Nineveh, kur shpërtheu zjarri mbrëmjen e 26 shtatorit.
Ende nuk dihet se çka e shkaktoi zjarrin, por raportimet e para thonë se erdhi si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Irakut, INA, raportoi se numri i të vdekurve ka arritur në 100 dhe se më shumë se 150 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të autoriteteve lokale në Nineveh.
Numri i viktimave u konfirmuar për agjencinë e lajmeve AFP edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut, Saif al-Badr.
Badr tha se shumica e të lënduarve po trajtohen për djegie apo për mungesë të oksigjenit.
Në një komunikatë për media, autoritetet irakiane thanë se panelet e parafabrikuara brenda sallës ku u mbajt dasma ishin “tejet të djegshme dhe nuk i përmbushnin standardet e sigurisë”.
Panelet, të cilat përmbanin plastikë, lëshuan gazra toksike pas djegies, thanë ato.
“Disa pjesë të tavanit ranë si pasojë e zjarrit, për shkak të materialit të lirë dhe tejet të djegshëm”, sipas autoriteteve.
Rania Waad, një mysafire në dasmë, e cila pësoi djegie në dorë, tha se derisa dhëndri dhe nusja “po vallëzonin dalëngadalë, fishekzjarrët filluan të preknin në tavan dhe se tërë sallën e mori flaka”.
“Ne nuk mund të shihnim asgjë. Na zihej fryma dhe nuk dinim si të dilnim jashtë sallës”, tha 17-vjeçarja.
Në një komunikatë të shkurtër për media, kryeministri i Irakut, Mohamed Shia al-Sudani, iu bëri thirrje autoriteteve shëndetësore dhe ministrave të brendshëm “të mobilizohen” për t’i ndihmuar viktimat e zjarrit./rel
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...