Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të gjejë një zgjidhje diplomatike për konfliktin në Ukrainë, bazuar në një armëpushim dhe tërheqje të plotë të trupave ruse.
Kështu bëri të ditur zyra e Scholzit, pasi lideri gjerman më 13 shtator zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus.
Gjatë kësaj bisede, Scholz ka theksuar nevojën për të ofruar siguri për centralin bërthamor të Zaporizhjës.
Ai i ka kërkuar Putinit që të vazhdojë të respektojë plotësisht zbatimin e marrëveshjes për eksportin e drithërave, që u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, tha zëdhënësi i Scholzit, Steffen Hebestreit.
“Kancelari ka theksuar se çdo hap rus për aneksim nuk do të kalojë pa kundërpërgjigje dhe nuk do të njihet në asnjë rrethanë”, tha Hebestreit përmes një deklarate, duke shtuar se Scholz dhe Putin u pajtuan që të vazhdojnë kontaktet.
Biseda 90-minutëshe midis Scholzit dhe Putinit është e para mes liderëve pas disa javësh, tha zyra e Scholzit.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Ndërkaq, së fundmi Ukraina ka nisur një kundërofensivë për të rimarrë territoret e pushtuara në rajonin e Harkivit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se gjatë kësaj kundërofensive kanë arritur të rimarrin 6.000 kilometra katrorë territor që Moska kishte pushtuar./rel
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...