Google ADS

Scholz: Gjermania nuk mundet ta zëvendësojë plotësisht gazin rus

23:48 | 2 Shtator 2022
Trina Galanxhi

Gjermania nuk është në gjendje të zëvendësojë plotësisht gazin rus në afat të shkurtër, tha kancelari Olaf Scholz, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në një ngjarje dialogu në Essen, Scholz tha se qeveria e tij do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të eliminuar varësinë e saj energjetike nga Rusia, por që ndërprerja e plotë e blerjeve të gazit nga ky vend nuk është diçka e realizueshme.

“Ne nuk do ta bëjmë këtë nga ana jonë, nuk mendoj se kjo do të jetë një lëvizje shumë e përgjegjshme. Por ne jemi gjithashtu të përgatitur për çdo kundërreagim”, tha politikani socialdemokrat, duke iu referuar ndërprerjeve të furnizimit me gaz në vazhdën e tensioneve me Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë.

Këtë javë, Rusia ndaloi dërgesat e gazit në Gjermani përmes tubacionit Rrjedha Veriore për “arsye të mirëmbajtjes”. Megjithatë, disa politikanë gjermanë akuzuan Moskën se përdor gazin si armë për të ushtruar presion mbi Berlinin.

Scholz nënvizoi se Gjermania ka ndërmarrë tashmë hapa të mëdhenj në muajt e fundit për të zhvilluar alternativa ndaj gazit rus dhe tani po ndërton terminale të gazit natyror të lëngshëm për të importuar LNG nga vendet e tjera.

Ai tha gjithashtu se në Evropë po zhvillohen diskutime për ndërtimin e tubacioneve të reja, të cilat mund të sjellin gaz nga Afrika dhe Lindja e Afërt, por theksoi se të gjitha këto përpjekje do të kërkojnë kohë.

Para luftës në Ukrainë, Rusia furnizonte 55 për qind të gazit natyror të Gjermanisë, por qeveria ka arritur ta zvogëlojë këtë varësi në 26 për qind në qershor, sipas shifrave zyrtare.

Berlini po planifikon ta zvogëlojë këtë shifër në një maksimum prej 10 për qind deri në verën e vitit 2024.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme