Google ADS

Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë do të hyjnë në fuqi më 23 shkurt

14:37 | 23 Shkurt 2022
V. S.

Një raund i parë i sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë do të hyjë në fuqi të mërkurën, tha një diplomat i BE-së, duke futur në listën e zezë më shumë politikanë dhe duke ndaluar tregtinë midis BE-së dhe dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore.

Presidenti rus Vladimir Putin njohu të hënën, më 21 shkurt, rajonet separatiste në rajonin Donbass të Ukrainës lindore që ngjiten me Rusinë, duke thelluar frikën perëndimore për një luftë të madhe në Evropë.

BE-ja zgjodhi të mos e sanksionojë vetë Putinin, por në vend të kësaj, të fusë në listën e zezë të gjithë anëtarët e dhomës së ulët të parlamentit rus që votuan në favor të njohjes së rajoneve të shkëputura, duke ngrirë çdo pasuri që ata kanë në BE dhe duke i ndaluar ata të udhëtojnë në bllok.

Bankat e përfshira në financimin e aktiviteteve separatiste në Ukrainën lindore do të jenë gjithashtu në shënjestër dhe dy rajonet do të hiqen nga një marrëveshje e tregtisë së lirë midis BE-së dhe Ukrainës.

Ndikimi i sanksioneve të reja mbi bankat dhe i kufizimeve në aftësinë e qeverisë ruse për të mbledhur kapital në tregjet financiare të BE-së ka të ngjarë të jetë i kufizuar.

Qeveritë perëndimore tani për tani po preferojnë të mbajnë në rezervë paketat shumë më të mëdha të sanksioneve që kanë planifikuar nëse kriza përshkallëzohet.

Sanksionet, të miratuara tashmë në parim nga ministrat e jashtëm të martën dhe të konfirmuara nga ambasadorët të mërkurën në mëngjes, kanë ende nevojë për miratim zyrtar nga ministrat e jashtëm.

Ky është normalisht një formalitet dhe sanksionet do të hyjnë në fuqi sapo të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së, një hap që pritet më vonë të mërkurën. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme