Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, që pritet të nënshkruajë një marrëveshje kyçe të mbrojtjes me Francën më 7 mars, tha se Moska planifikon të minojë stabilitetin e Moldavisë dhe ta largojë shtetin nga rruga drejt integrimit evropian para zgjedhjeve presidenciale dhe një referendumi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sandu i bëri këto deklarata pak pasi Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë lëshoi një paralajmërim për planet e Rusisë që të penguar përpjekjet e Moldavisë që të shkëputet nga ndikimi dekadësh i Moskës dhe të afrohet më shumë me Perëndimin.
“Ajo se çfarë Moska do, ne të gjithë e kuptojmë. Moska dëshiron të destabilizojë situatën në Moldavi, Moska dëshiron të frikësojë qytetarët e Moldavisë, veçanërisht pasi këtë vit ne do të kemi referendumin për t’iu bashkuar BE-së – të paktën ky është propozimi im dhe shpresoj që Parlamenti i Moldavisë”, tha Sandu për televizionin Digi24 më 6 mars, pak para se të nisej për në Paris.
Sandu, politikane pro perëndimore, nën të cilën Moldavia bëri një kthesë të madhe duke u larguar nga Rusia e duke iu afruar Evropës, do të garojë për një mandat të dytë gjatë këtij viti.
Ajo më 2020 kishte mposhtur presidentin e atëhershëm, Igor Dodon, të mbështetur nga Rusia.
Sandu tha se në aspektin ushtarak, Moldavia po mbrohet nga një sulm i mundshëm rus nga fqinja e saj lindore, Ukraina, e cila po përballet me agresionin rus që dy vjet.
“Moska nuk ka asnjë mënyrë që të arrijë në Moldavi, pikë së pari për shkak se Ukraina është mburoja jonë dhe Ukraina po i reziston [agresionit rus] dhe do të vazhdojë t’i rezistojë. Së dyti, për shkak se Moldavia ka miq të fuqishëm që kanë zgjedhur të jenë në anën e botës së lirë”, tha Sandu.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Sandu pritet të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe atë të ekonomisë.
“Një marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje dhe një udhërrëfyes për bashkëpunim ekonomik do të nënshkruhen gjatë vizitës së saj”, tha Pallati Elize përmes një deklarate, duke mos dhënë më shumë detaje.
“Presidenti do të përsërisë mbështetjen e Francës për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Moldavisë, në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, u shtua në deklaratë.
Më 5 mars, shefi i inteligjencës së Moldavisë, Alexandru Musteata, tha se agjencia që ai udhëheq posedon “disa të dhëna” lidhur me veprimet që Moska po planifikon të bëjë gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm për të kompromentuar anëtarësimin e shtetit në BE dhe ta sjellë Moldavinë sërish nën sferën e ndikimit rus.
Ndryshe, Franca dhe Moldavia shtatorin e vitit të kaluar kishin arritur marrëveshjen e parë për trajnimin e personelit ushtarak, për konsultime të rregullta të mbrojtjes dhe për ndarjen e informacioneve të inteligjencës.
Detajet e marrëveshjes mes dy shteteve nuk janë bërë publike, por Macron më 5 mars tha se aleatët perëndimorë dhe evropianë të Ukrainës po ashtu duhet të përqendrohen edhe në forcimin e ndihmës së sigurisë për Moldavinë./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...