Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington. Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet teksa lufta në Ukrainë vazhdon.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.
E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes. Një vit më vonë, në Vilnius, aleatët janë pajtuar për plane të reja për të përmbushur atë vizion.
E, Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën. Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.
Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë? Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.
Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus. Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.
Por, gjasat që Ukraina, gjatë Samitit në Uashington, të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, janë gati joekzistente. Paketa e NATO-s për Ukrainën do të përbëhet nga tri pjesë: gjuha, koordinimi dhe ndihma.
Gjuha në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës do të duhet të ndërtohet mbi zotimin në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”. Zyrtarë të lartë amerikanë i janë referuar paketës së Uashingtonit si një “urë e fortë” drejt anëtarësimit, që është “e ndriçuar mirë, e shkurtër, e drejtë, e papenguar”.
Por, negociatat për formulimin e saktë të komunikatës së samitit ka të ngjarë të vazhdojnë deri në minutën e fundit.
Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s. Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.
Për shembull, 40 për qind e tregtisë së Evropës kalon përmes Detit të Kinës Jugore, ndërsa luftën e Rusisë në Ukrainë e ka mbështetur importimi i municioneve nga Koreja e Veriut dhe mallrat kineze me përdorim të dyfishtë.
Siç ka konfirmuar ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, partneriteti në Indo-Paqësor do të jetë një temë kryesore e Samitit të Uashingtonit.
Katër partnerët e NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.
Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.
Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.
Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.
Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.
Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv./abcnews.al/
Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë k...
Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës ...
Rama: Plan strategjik për integrimin në BE, negociatat i mby...
Një 38-vjeçar në Prizren hedhet nga ballkoni i shtëpisë, pës...
Sara e emocionuar flet për dëshirën e saj të fundvitit
Vendoset gurthemeli i objektit të Komunës së Shtimes, invest...