Megjithë grindjen për klimën, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të G20-s kanë rënë dakord për një deklaratë të përbashkët. Kancelarja gjermane e bëri këtë të ditur në Osaka.
SHBA ka pranuar, që në deklaratën e përbashkët shtetet e tjera të G20-s të shprehen për forcimin e angazhimit në mbrojtjen e klimës, tha kancelarja Merkel në Osaka. Do të ketë një „tekst të përafërt” me samitin kaluar të G20-s në Argjentinë. Ashtu si në Buenos Aires, 19 nga 20 shtete të G20-s duan të pranojnë Marrëveshjen e Parisit për Klimën, SHBA i mbetet qëndrimit të saj refuzues.
Në deklaratë theksohet, se detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Parisit janë „të pakthyeshme”, tha Merkel. Sipas kancelares, në deklaratën e përbashkët përmendet edhe migracioni. Synohet një „bashkëpunim i ngushtë” i vendeve anëtare të G20-s me organizatat e OKB-së për politikën e migracionit. „Në këtë kuptim kemi bërë hapa të mirë përpara”, tha Merkel.
Negociata të ashpra
Më parë ndërmjetësuesit e vendeve të industrializuara dhe në ekspansion kishin negociuar fort për pozicionimin në deklaratën e samitit për klimën. Europianët nuk duan të lejojnë që deklarata e samitit të Osakas të jetë një hap pas duke mos arritur as ujditë e samiteve të mëparshme të G20-s, kanë thënë diplomatët. Ndërmjetësuesit bënë fjalë për „negociata shumë të vështira” gjatë natës. SHBA ka mbrojtur pozicionin e saj „shumë të ashpër në çështjet e klimës. Por BE ka qenë unike në qëndrimin e saj, se nuk do të bëjë lëshime për mbrojtjen e klimës.
Sipas të dhënave franceze, SHBA përpiqen të shkëpusin 3-4 vende nga blloku i vendeve të G20-s, për të mos iu mbetur besnik detyrimeve të Marrëveshjes së Klimës në Paris, për të arritur një deklaratë më të dobët në këtë çështje. Fjala është Brazilin, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Por europianët duan të paktën të ruajnë standardin e dy samiteve të fundit të G20-s, pra një deklaratë përfundimtare, ku 19 nga 20 vende të G20-s, me përjashtim të SHBA të pranojnë kushtet e Marrëveshjes së Parisit. Ata duan të pengojnë që edhe vende të tjera të G20-s të ndjekin rrugën unilaterale të SHBA.
Në instancën e G20-s bëjnë pjesë vende që së bashku përbëjnë dy të tretat e popullsisë së botës, 80% të produktit të brendshëm bruto dhe tre të katërtat e tregtisë botërore. Krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s takohen nga kriza financiare e vitit 2008 një herë në vit në një samit ndërkombëtar./DW
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...