Salvini shpëton nga gjykimi, senati nuk i heq imunitetin

16:46 | 26 Maj 2020
Arditë Shkodra

Komisioni i imuniteteve në Dhomën e Senatit në Parlamentin Italian ka votuar kundër heqjes së imunitetit të senatorit për Liderin e Partisë Lidhja, Matteo Salvini.

Heqja e imunitetit të mandatit të senatorit kishte ardhur me kërkesë të Prokurorisë së Palermos e cila kërkon nisjen e një procesi gjyqësor ndaj Matteo Salvinit në kohën kur ishte ministër i Brendshëm me akuzën e sekuestrimit të personit e abuzim detyre në vonesën e treguar në zbarkimin në brigjet siçiliane të rreth 150 emigrantëve të anijes humanitare Open Arms në 20 gusht të 2019.

Komisioni i imuniteteve në Senatin italian pasi është njohur paraprakisht me dokumentacionin shumëfaqësh të akteve hetimore të Prokurorisë së Palermos ka votuar sot kundër heqjes se imunitetit të senatorit Salvini.

Kundër një procesi ndaj Matteo Salvinit kanë votuar 13 senatorë të qendrës së djathtë italiane, ndërsa kanë votuar pro 7 senatorë të Lëvizjes 5 Yje e të Partisë Demokratike e kanë abstenuar në votim 3 senatorë të Partisë “Italia Viva” të Matteo Renzit.

“Komisoni i imuniteteve ka votuar kundër pasi kanë vlerësuar se si ish ministër i Brendshëm kam vepruar për të mirën e interesit publik dhe jo atij privat” ka komentuar Matteo Salvini

“Kam bërë vetëm detyrën time në interes të popullit italian,” është shprehur ish ministri i Brendshëm i qeverisë Conte 1 .

Lideri i Lidhjes shprehet i suprizuar se si Lëvizja 5 Yej ka ndryshuar mendim duke kërkuar fajësimin e Salvnit në ndalimin e emigrantëve, kur ishin në të njëjtin mendim me të në kohën e qeverisjes Conte 1.

Ndërsa për abstenimin e senatorëve renzianë është shprehur se nuk ka pretenduar asgjë nga ata por kanë qenë aktet e prokurorisë që i kanë bindur se ky ishte një proces i pabazë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme