Rusisë “nuk i plas fare” për kërcënimet e Perëndimit për sanksione, pretendon ambasadori kontrovers rus në Suedi

19:41 | 13 Shkurt 2022
A. B.

Ambasadori kontrovers i Rusisë në Suedi, Viktor Tatarintsev i tha një gazete suedeze se Moska nuk brengoset fare për kërcënimin e sanksioneve perëndimore për krizën në Ukrainë.

“Më falni për fjalët, por neve ‘nuk na plas fare’ për sanksionet e tyre”, citohet të ketë thënë Viktor Tatarintsev për gazetën Aftonbladet në një intervistë të postuar në faqen e saj të shtunën vonë.

“Ne kemi pasur tashmë kaq shumë sanksione dhe në këtë kuptim ato kanë pasur një efekt pozitiv në ekonominë dhe bujqësinë tonë”, ka pretenduar diplomati veteran, i cili flet rrjedhshëm suedisht dhe është dërguar katër herë në vendin skandinav.

“Ne jemi më të vetë-mjaftueshëm dhe kemi mundur të rrisim eksportet tona. Ne nuk kemi djathë italianë apo zviceranë, por kemi mësuar të bëjmë djathëra rusë po aq të mirë duke përdorur receta italiane dhe zvicerane”, tha ai, shkruan Newsweek.

“Sanksionet e reja nuk janë asgjë pozitive, por jo aq të këqija sa e thotë Perëndimi”, shtoi ai.

Veç këtyre, Tatarintsev akuzoi Perëndimin se nuk e kuptonte mentalitetin rus.

“Sa më shumë Perëndimi të bëjë presion mbi Rusinë, aq më e fortë do të jetë përgjigja ruse”, tha ai.

Komentet e diplomatit vijnë pasi shtetet perëndimore kanë frikë se Moska po përgatit një pushtim të Ukrainës, pasi pothuajse ka rrethuar fqinjin e saj perëndimor me më shumë se 100,000 trupa.

Dhe në këtë drejtim Uashingtoni ka paralajmëruar se një pushtim i gjithanshëm mund të fillojë “çdo ditë”.

Të ngjashme