Rusia thotë se rrëzoi dronë të tjerë ukrainas që kishin si objektiv Moskën

17:32 | 10 Gusht 2023
E.G

Zyrtarët e Rusisë thanë se sistemet e mbrojtjes së saj ajrore rrëzuan dy dronë të tjerë që kishin si objektiv Moskën, për të dytën ditë me radhë.

Sulmi për të cilin u njoftua të enjten shkaktoi ndërprerjen e fluturimeve në dy aeroporte ndërkombëtare, pasi Ukraina dukej se po shtonte sulmet e saj në territorin rus.

Kryebashkiaku i Moskës tha se një dron u rrëzua në rajonin Kaluga në jugperëndim të Moskës dhe një tjetër pranë një aksi rrugor kryesor të Moskës.

Nuk ka njoftime për viktima. Ministria ruse e Mbrojtjes fajësoi Ukrainën për sulmin, por zyrtarët ukrainas nuk bënë komente mbi këto akuza.

Analistët thonë se goditja me dronë në Moskë, pas më shumë se 17 muajsh lufte nuk ka shumë vlerë ushtarake për Ukrainën, por strategjia ka shërbyer për të shqetësuar rusët dhe për t’i bërë ata të ndjejnë nga afër pasojat e konfliktit.

Të enjten, Ukraina njoftoi se tre persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me raketa në rajonin e Zaporizhias.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Associated Press, njoftoi të enjten, duke iu referuar dy zyrtarëve amerikanë se Pentagoni do t’i dërgojë Ukrainës një tjetër paketë ndihme në vlerën e 200 milionë dollarëve me armë dhe municione në ndihmë të kundërofensivës që ajo ka ndërrmarrë ndaj trupave ruse.

Sipas zyrtarëve, paketa e fundit e ndihmës pritet të përfshijë sisteme raketore HIMARS, sistmeme të mbrojtjes ajrore Patriot, municione për armatime të rënda, raketa dhe armatime të tjera./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme