Rusia ka rrëzuar të paktën tre dronë të lëshuar nga Ukraina mëngjesin e së martës që kishin për cak kryeqytetin e shtetit, pretendoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ministria tha se sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan dy dronë mbi rajonet Kaluga dhe Tver, që gjenden në kufi të rajonit të Moskës. Droni tjetër u shkatërrua në qarkun Istra në rajonin e Moskës.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se dronët “po synoni të kryenin një sulm në Moskë”, duke shtuar se në qarkun Istra – që gjendet rreth 65 kilometra në veriperëndim të Kremlinit – është dëmtuar një ndërtesë që ofron shërbime për konsumatorët.
Ministria e Mbrojtjes nuk raportoi për dëme apo viktima në lokacione të tjera.
Sobyanin tha se copëzat e dronit që u rrëzua në rajonin Tver ranë në fshatin Zavidovo. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA, në Zavidovo gjendet pallati zyrtar rezidencial i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Rezidencat kryesore të Putinit janë në Novo-Ograjovo në rajonin e Moskës, dhe Pallati i Madh i Kremlinit, ku mbahen ngjarjet kryesore.
Agjencitë e lajmeve ruse kanë raportuar se pothuajse 50 fluturime janë anuluar ose shtyrë në katër aeroportet më të mëdha në Moskë: Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky.
Sulmet me dronë ndaj caqeve ruse, veçmas në Krime – gadishullin e aneksuar nga Moska më 2014 – dhe në rajonet që janë në kufi me Ukrainën, ndodhin pothuajse përditë që kur dy dronë u shkatërruan mbi Kremlin në muajin maj.
Ukraina shumë rrallë merr përgjegjësinë për sulme të tilla me dronë./REL/
Von Der Leyen: BE gati për të nisur shqyrtimin e aplikimit t...
Deklarata e Samitit kërkon zbatim të marrëveshjeve mes Kosov...
Roza Lati thumbon Heidin pasi u zyrtarizua si prezantuese e ...
A e shohin njëri-tjetrin në finale Xuxi dhe Gresa?
Gjykata e Francës e mban në fuqi dënimin e Sarkozyt për korr...
Presidentja e Sllovenisë me komandantin e KFOR-it: Jeni një ...