Google ADS

Rusia thotë se e parandaloi një sulm të madh ukrainas në Moskë

10:01 | 26 Nëntor 2023
E.H

Rusia e ka zmbrapsur një sulm të madh ukrainas, i cili përfshiu së paku 24 dronë, në pesë rajone, përfshirë kryeqytetin Moskë, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të dielën.

Ministria tha se mbrojtja e saj ajrore i rrëzoi dronët ukrainas mbi Moskë, Tula, Kaluga, Smolensk dhe Briansk.

Një person u plagos në Tula kur një dron e goditi një ndërtesë banimi, tha guvernatori rajonal, Alexei Dyumin.

“U tentua për një sulm masiv me dronë gjatë natës”, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, duke shtuar se dronët ukrainas u rrëzuan në disa zona të rajonit të Moskës.

Gazeta Kommersant raportoi se fluturimet u shtynë apo anuluan në aeroportet kryesore të Moskës, për shkak të sulmit me dronë.

Ndërkohë, Ukraina tha të shtunën se Kievi u godit nga sulmi më i madh rus me dronë prej se ka nisur pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Moska.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i rrëzoi 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin – me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, dha hollësi rreth sulmit rus mbi kryeqytetin ukrainas, si pasojë e të cili u plagosën pesë njerëz, përfshirë një fëmijë 11-vjeçar. Të gjithë prej tyre morën tretman mjekësor, tha ai.

“Barbarët rusë kryen sulmin më të madh mbi Kievin dhe alarmi ajror zgjati gjashtë orë”, tha Klitschko.

“Ky sulm me dronë ishte më i madhi prej se nisi pushtimi i plotë”, tha shefi i administratës ushtarake të Kievit, Mykhaylo Shamanov, për televizionin ukrainas./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme