Moska do të hakmerret ndaj caqeve të Britanisë së Madhe, nëse armët britanike përdoren nga Ukraina për sulme brenda territorit rus, tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Zakharova tha për gazetarë se caqet britanike “brenda territorit të Ukrainës dhe përtej kufijve të saj” mund të goditen në një skenar të tillë.
Ajo e përsëriti paralajmërimin që Moska e bëri në fillim të këtij muaji, pasi sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë, nëse dëshiron.
“Ukraina e gëzon atë të drejtë. Sikurse Rusia që po sulmon brenda Ukrainës, mund ta kuptoni lehtë pse Ukraina e ndien nevojën për t’u siguruar se po e mbron veten”, tha Cameron gjatë një vizite në fillim të majit.
Rusia reagoi me zemërim ndaj deklaratave të Cameron dhe i përmendi ato si arsyeje pse ka vendosur të mbajë stërvitje këtë muaj, për të simuluar lëshimin e raketave taktike bërthamore.
Komentet e Cameronit e bëjnë Britaninë të mbajë qëndrim më luftarak karshi Rusisë – së paku publikisht – sesa SHBA-ja, e cila thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht, dhe jo kundër caqeve brenda territorit të Rusisë.
Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, si për shembull, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore./rel
Nis protesta para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e 14-vje...
De Bruyne lë në pikëpyetje të ardhmen e tij tek Manchester C...
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...