Google ADS

Rusia thotë se do të përgjigjet ndaj “kërcënimeve” të anëtarëve të NATO-s

15:53 | 9 Gusht 2023
Diellza Gashi

Moska i ka akuzuar të mërkurën Poloninë dhe Finlandën për kërcënimin e sigurisë së saj dhe është zotuar se do të përgjigjet ndaj “kërcënimeve të shumta” në kufirin rus me Perëndimin nga anëtarët e NATO-s.

Polonia, fqinja dhe aleatja e patundur e Ukrainës, e ka forcuar sigurinë në kufirin e vet me Bjellorusinë, pasi Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të Wagner-it rus.

Finlanda, e cila e ndan një kufi të gjatë me Rusinë, iu bashkua NATO-s në prill në një ngjarje historike që u nxit nga lufta e Moskës në Ukrainë.

“Kërcënimet ndaj sigurisë ushtarake të Federatës ruse janë shumëfishuar në drejtimet strategjike perëndimore dhe veriperëndimore”, tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, në një takim me zyrtarët ushtarakë.

Ato rreziqe “kërkojnë përgjigje adekuate dhe me kohë”, theksoi ai.

“Ne do t’i diskutojmë masat e nevojshme për t’i neutralizuar ato gjatë takimit, ku do të marrim vendime të duhura”.

Ai e veçoi Poloninë, për të cilën tha se po “militarizohet” dhe se po përdoret nga Shtetet e Bashkuara “si një instrument i politikave anti-ruse”.

Varshava njoftoi të mërkurën se do t’i dërgojë edhe 2.000 trupa shtesë në kufirin e vet lindor, ku i ka vendosur tashmë 2.000 sosh.

Anëtarja e NATO-s tha javën e kaluar se helikopterët bjellorusë e kishin shkelur hapësirën e saj ajrore dhe paralajmëroi për provokime nga Bjellorusia.

Shoigu tha se trupat polake do të jenë “shumë pranë kufijve të Unionit”, duke iu referuar aleancës mes Moskës dhe Minskut.

Muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin tha se Moska do të përgjigjej ndaj çdo agresioni kundër Bjellorusisë “me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë”.

Shoigu tha, po ashtu, se “faktor serioz i destabilizimit është anëtarësimi i Finlandës në NATO, dhe në të ardhmen – i Suedisë”.

Muajin e kaluar, Turqia i dha fund kundërshtimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke dhënë dritën jeshile për shpresat e Stokholmit për anëtarësim.

Kremlini ka thënë se anëtarësimi i Suedisë në NATO do ta rrezikonte sigurinë e Rusisë dhe se po planifikon kundërmasa.

Suedia ndan një kufi të shkurtër arktik me Rusinë./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme