Google ADS

Rusia sulmon objektet ku ruhen drithërat në Ukrainë, Moska bëhet sërish cak i dronëve

09:38 | 23 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Rusia nisi një sulm tre-orësh me dronë gjatë natës në rajonin Odesa të Ukrainës, duke synuar objektet e eksportit të grurit dhe infrastrukturën tjetër civile, tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper, në platformën Telegram më 23 gusht.

“Mbrojtja ajrore shkatërroi nëntë dronë të prodhuar nga Irani. Fatkeqësisht, objektet e prodhimit dhe eksportit janë dëmtuar dhe ka shpërthyer zjarr në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë”, shkroi Kiper, duke shtuar se nuk ka viktima. Në orën gjashtë të mëngjesit zjarri është vënë nën kontroll. Ndër objektivat e dëmtuara janë edhe objektet ku ruheshin drithërat”, tha ai.

Më herët Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës raportoi për një sulm të ri me dronë rus në Ukrainë, por nuk dha më shumë detaje. Por, ushtria ukrainase raportoi se gjatë natës i kishte rrëzuar 11 nga 20 dronët e lëshuar nga Rusia.

Në korrik, Rusia u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të drithërave nga portet e Ukrainës.

Që nga atëherë, Rusia i ka goditur vazhdimisht me dronë dhe raketa portet dhe objektet ku ruhen drithërat ukrainase.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, pasi që tha se nuk janë plotësuar kërkesat e saj.

Në Herson, një person u vra dhe pesë të tjerë u lënduan nga sulmet ruse gjatë 24 orëve të fundit, tha kreu i administratës rajonale ushtarake, Oleksandr Prokudin, në Telegram.

Ai shtoi se në mesin e objekteve të sulmuara nga Rusia ishte edhe një kopsht për fëmijë.

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes, tha se Moska u sulmua me tre dronë gjatë natës, dy prej të cilëve u rrëzuan ndërsa i treti u “shkatërrua” me mjete elektronike, por goditi një ndërtesë në të cilën po punohej në Moskë, pasi humbi kontrollin.

Ministria tha se nga këto sulme nuk ka pasur viktima.

Por, guvernatori i rajonit Belgorod – në kufi me Ukrainën – tha se tre persona janë vrarë nga ato që ai i quajti sulme ukrainase me dronë më 23 gusht.

“Tre civilë janë vrarë”, shkroi guvernatori Vyacheslav Gladkov. “Forcat ukrainase e nisën një mjet shpërthyes përmes një droni kur pati njerëz në rrugë”.

Kievi nuk i ka komentuar këto incidente.

Moska ka qenë rregullisht në shënjestër të sulmeve me dronë gjatë javëve të fundit.

Shkaku i këtyre sulmeve, tre aeroporte të Moskës – Vnukovo, Domodedovo dhe Sheremetyevo – i kanë pezulluar përkohësisht fluturimet disa herë./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme