Më shumë se 30 persona, përfshirë nëntë fëmijë, u plagosën më 4 korrik në një sulm rus në qytetin Pervomaiski në rajonin lindor të Harkivit, thanë zyrtarët ukrainas, teksa ushtria ukrainase raportoi vazhdimin e luftimeve të ashpra në rajonin e Donjeckut.
Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synehubov, tha në Telegram se sulmi ndodhi rreth orës 13:35 me orën lokale, ku si pasojë u dogjën disa makina dhe u shpërthyen dritaret e një ndërtese banimi.
Një foshnjë 10-muajshe dhe një fëmijë 1-vjeçar janë në mesin e të plagosurve, tha Synehubov.
Raketa goditi një parking jashtë ndërtesës së banimit në qytetin Pervomaiski, i cili është relativisht larg nga pikat e luftimeve në rajonin e Donbasit.
Andriy Yermak, shefi i shtabit të presidentit Volodymyr Zelensky, komentoi gjithashtu sulmin, duke thënë se Rusia sulmoi me “një predhë me eksploziv të lartë”.
Të dy, Synehubov dhe Yermak, postuan foto në Telegram, të asaj që ata thanë se tregonin dëmet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga sulmi.
Në një pjesë tjetër të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Tarnavskiy, komandant i forcave jugore të Ukrainës, deklaroi se trupat ukrainase eliminuan me sukses armikun nga disa pozicione strategjike.
“Forcat e mbrojtjes po përparojnë në drejtimin [jugor]”, tha Tarnavskiy në Telegram.
Sipas tij, njësitë e trupave raketore dhe artilerisë kryen 1,283 sulme gjatë ditës.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës në mëngjesin e 4 korrikut raportoi për luftime të ashpra në zonat e Bahmutit, Limanit, Avdivkas dhe Marinkas në Donjeck.
Ata thanë se kishte pasur gjithsej 40 përleshje luftarake gjatë 24 orëve të mëparshme.
Pati gjithashtu luftime të ashpra në drejtimet Berdiansk dhe Melitopol, ku forcat ukrainase po përparonin, tha udhëheqja ushtarake e Ukrainës.
Ushtria ukrainase tha gjithashtu se forcat ruse gjatë ditës së 3 korrikut kryen 56 sulme ajrore dhe 77 sulme nga sistemet e raketave, duke shtuar se sulmet kishin vrarë dhe plagosur një numër të paspecifikuar civilësh.
Raporti erdhi pasi Rusia akuzoi Ukrainën për fillimin e një sulmi me dron në Moskë dhe zonat përreth, që rezultoi në kufizimin e përkohshëm të uljeve dhe ngritjeve në aeroportin Vnukovo të kryeqytetit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se zmbrapsi një sulm nga pesë dronë ukrainas në Moskë dhe një rajon aty pranë.
Nuk ka pasur viktima apo dëme si rezultat i “sulmit terrorist”, tha ministria.
Zëdhënësi i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ukrainës (HUR), Andriy Yusov, komentoi sulmin me dron në Moskë.
“Nëse flasim për Moskën, ne tradicionalisht nuk e komentojmë atë. Por ndodh. Nëse brigada e 45-të ruse e forcave speciale është e angazhuar në sabotim në pjesën e pasme të Ukrainës, atëherë kjo do të thotë se diçka mund të fluturojë për në Moskë”, tha ai në televizionin kombëtar.
Sulmi me dron ishte sulmi i parë i njohur në kryeqytetin rus që nga një kryengritje e dështuar e nisur 11 ditë më parë nga shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili lëshoi një mesazh audio në Telegram më 3 korrik duke shprehur mirënjohje për ata që e mbështetën atë.
Prigozhin tha se ai urdhëroi grupin e tij të ndalonte përparimin e tij në mënyrë që të parandalonte një luftë civile.
Ai dhe qindra luftëtarë të tij të armatosur udhëhoqën një kryengritje të shkurtër më 24 qershor që pushtoi qytetin jugor rus të Rostov-on-Don dhe kërcënoi të kryente një marshim kundër Moskës.
Kriza u qetësua pasi Prigozhin pranoi një marrëveshje që do t’i lejonte atij të shkonte në mërgim në Bjellorusi dhe t’u jepte ushtarëve të tij mundësinë e zgjedhjes për t’u bashkuar me të atje, ose për t’u integruar në ushtrinë ruse./REL/
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...