Google ADS

Rusia: Shtetet e Bashkuara po rrezikojnë sigurinë

12:50 | 5 Dhjetor 2018
arbresh.info

Rusia tha se ka pranuar njoftimin zyrtar nga Uashingtoni se Shtetet e Bashkuara synojnë tërheqjen nga një marrëveshje për armë bërthamore, nëse Moska nuk i kthehet zbatimit të plotë të saj.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se njoftimi zyrtar përmend dëshmi të paspecifikuara për shkelje të supozuara të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme nga ana e Rusisë.

“Pala ruse ka deklaruar vazhdimisht se këto janë spekulime. Asnjë dëshmi që mbështet qëndrimin e Amerikës nuk na është prezantuar”, tha Zakharova.

Ajo tha se Rusia e ka respektuar gjithmonë traktatin dhe se e konsideron atë si “një nga shtyllat kryesore të stabilitetit strategjik dhe të sigurisë ndërkombëtare”.

Valery Gerasimov, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura ruse, tha se tërheqja e SHBA-së nga traktati “do të ishte një hap i rrezikshëm që do të mund të ndikonte negativisht jo vetëm në sigurinë evropiane, por në të gjithë stabilitetin strategjik”.

Komentet e Zakharovas dhe Gerasimovit vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha në një takim të NATO-s në Bruksel se Uashingtoni do ta braktisë traktatin e vitit 1987 pas 60 ditësh, nëse Moska nuk i çmonton raktetat që SHBA konsideron se përbëjnë shkelje të marrëveshjes.

Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme