Rusia pretendoi të dielën se ka ndalur përparimin e trupave ukrainase në rajonin perëndimor të Kurskut, në disa zona që gjenden rreth 30 kilometra nga kufiri Rusi-Ukrainë.
Për herë të parë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pranoi në mënyrë indirekte të shtunën vonë se forcat e Kievit e kishin shtrirë luftën në Rusi, në gjashtë ditët e fundit. Por Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e saj i kishin “penguar përpjekjet e njësive të lëvizshme të armikut, me automjete të blinduara për të depërtuar thellë në territorin rus”.
Rusia tha se bllokoi përparimin ukrainas pranë fshatrave Tolpino dhe Obshchy Kolodez, në jugperëndim të Rusisë, 25 dhe 30 kilometra nga kufiri ukrainas.
Në fjalimin e tij të të përnatshëm, Presidenti Zelenskyy i pranoi veprimet e vazhdueshme ushtarake të Ukrainës për “ta çuar luftën brenda territorit të agresorit”.
Por luftimet vazhduan edhe në zona të tjera.
Një djalë 4-vjeçar dhe babai i tij 35-vjeçar u vranë në një sulm ajror rus gjatë natës në periferi të Kievit, thanë zyrtarët ukrainas të dielën. Tre persona të tjerë u plagosën gjatë sulmit në lindje të kryeqytetit.
Sulmi i befasishëm i Ukrainës hyri në ditën e 6 të dielën dhe shënon rastin e parë që njësitë ushtarake ukrainase luftojnë brenda territorit rus.
Mbeten të paraqarta objektivat e saktë të këtij operacioni. Zyrtarët ushtarakë e kanë zbatuar planin në fshehtësi.
Të dielën, Presidenti ukrainas tha se Rusia kishte kryer afro 2 mijë goditje pranë kufirit, nga rajoni rus i Kurskut në rajonin Sumy të Ukrainës, gjatë verës, dhe kjo sipas tij meritonte “përgjigjen e duhur” nga Kievi.
“Artileri, mortaja, dronë. Sulme me raketa, çdo sulm meriton përgjigjen e merituar”, tha udhëheqësi ukrainas në fjalimin e tij të përnatshëm.
Në Rusi, Ministria e Mbrojtjes tha se 35 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës mbi rajonet Kursk, Voronezh, Belgorod, Bryansk dhe Oryol.
Ukraina nuk ka komentuar lidhur me sulmet me dronë brenda Rusisë të dielën. Por goditjet vijnë në një kohë që Ukraina ka shtuar ritmin e sulmeve me dronë, në javët e fundit, që synojnë kryesisht infrastrukturën ushtarake dhe depot e naftës.
Në fjalimin e tij të së shtunës, Presidenti Zelenskyy falenderoi ushtarët e përfshirë në sulmin e drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, duke thënë se “Ukraina po dëshmon se mund të sjellë vërtet drejtësi dhe se po garanton trysninë që nevojitet, trysninë mbi agresorin”.
Rusia tha të shtunën se forcat e Kievit fillimisht kishin kaluar kufirin me rreth 1000 trupa, 20 automjete të blinduara dhe 11 tanke, megjithëse pretendoi se kishte shkatërruar pesë herë më shumë pajisje ushtarake deri më tani.
Bjellorusia, aleate e ngushtë e Rusisë, urdhëroi të shtunën përforcime ushtarake, duke kërkuar që trupa tokësore, njësi ajrore dhe sisteme raketore të vendosen më afër kufirit të saj me Ukrainën në përgjigje të sulmit të befasishëm të Kievit, sipas një njoftimi të ushtrisë bjelloruse.
Sipas njoftimeve nga mediat shtetërore të Kremlinit, agjencia bërthamore e Rusisë paralajmëroi të shtunën mbi rrezikun ndaj stacionit të energjisë bërthamore pranë rajonit Kursk, më pak se 50 kilometra larg luftimeve.
Pavarësisht komenteve të Presidentit Zelenskyy të shtunën, udhëheqësit ukrainas kanë heshtur mbi operacionin. Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Kievit, thanë se nuk ishin informuar paraprakisht mbi planet për sulmin./VOA
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...