Google ADS

Rusia pohon se pengoi avionë gjermanë dhe francezë

18:13 | 15 Maj 2023
Emir Abduramani

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të hënën se ka ngritur në ajër një avion të saj luftarak për të parandaluar avionët patrullues të Francës dhe Gjermanisë që të hynin në hapësirën e saj ajrore mbi Detin Baltik.

Rusia tha detektoi avionët gjermanë dhe francezë, që sipas saj, ishin nisur drejt territorit rus.

Moska tha se fluturimet u kryen nga një avion patrullues gjerman i llojit P-3C dhe ai francez, Atlantic-2.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pas ngritjes në ajër të avionit rus Su-27, avionët e Gjermanisë dhe Francës u larguan. Më pas, avioni rus u kthye në bazë, tha ministria.

Ky njoftim i palës ruse nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

“Dy shënjestra ajrore u detektuan teksa po i afroheshin kufirit shtetëror të Rusisë. Në mënyrë që të identifikoheshin dhe për të parandaluar që të shkelej kufiri shtetëror rus, një avion Su-27 nga flota ajrore e Baltikut u ngrit në ajër”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes./REL

Të ngjashme