Rusia po dërgon gratë e burgosura në luftën në Ukrainë

22:13 | 14 Mars 2023
K.B

Rusia po dërgon gra të burgosura për të punuar në rajonet e pushtuara në lindje të Ukrainës, tha një aktiviste ruse për të drejtat e njeriut.

Deklaratat e bëra më 13 mars nga Olga Romanova, kryetare e organizatës që avokon për të burgosurit rusë, konfirmojnë raportimet e tjera nga zyrtarë të ushtrisë ukrainase, të cilët kanë thënë se të burgosurat janë parë në pjesë të Ukrainës.

Qeveria ruse nuk ka komentuar për këto raportime, shkruan REL.

Përdorimi i të burgosurve nga Rusia në pushtimin e saj të Ukrainës – që tashmë ka hyrë në muajin e trembëdhjetë – është dokumentuar mjaft mirë. Shumë luftëtarë që luftojnë për kompaninë private të mercenarëve, Wagner, janë të burgosur të cilëve u është ofruar amnisti apo ulje e dënimit në këmbim të luftimit në Ukrainë.

Wagner ka thënë muajin e kaluar se ka ndaluar së rekrutuari të burgosur, ndërkaq Ministria ruse e Mbrojtjes raportohet se ka nisur fushatën e saj të rekrutimit në burgjet ruse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme