Në orët e para të mëngjesit të se premtes, forcat ruse goditën infrastrukturë të rëndësishme në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, dhe nisën sulme të shumta në infrastrukturën energjetike në Zaporizhja, teksa Moska i shtoi sulmet e saj në jug dhe lindje të Ukrainës.
Sirenat dhe alarmet e sulmeve ajrore shpërthyen në pjesën më të madhe të vendit.
Sekretari i Këshillit Bashkiak të Zaporizhjas, Anatolii Kurtiev, tha se qyteti ishte goditur 17 herë në një orë. Sipas tij, kjo ishte shkalla më e lartë e sulmeve që nga fillimi i pushtimit nga Rusia më 24 shkurt të vitit 2022.
Në Kharkiv, autoritetet po përpiqeshin të siguronin informacion mbi viktimat dhe shkallën e shkatërrimit, me kryebashkiakun Ihor Terekhov që tha se mund të ketë ndërprerje në ngrohje, furnizim me energji elektrike dhe ujë.
Analistët ushtarakë thonë se presidenti rus Vladimir Putin shpreson se mbështetja e Evropës për Ukrainën do të pakësohet, pasi Rusia besohet se po përgatit një ofensivë të re.
Luftimet në Ukrainë u intensifikuan të enjten.
Agjencia e inteligjencës ushtarake e Kievit tha se forcat ruse kanë nisur një ofensivë në rajonet pjesërisht të pushtuara të Donjetskut dhe Luhanskut, me synim kontrollin e plotë të të gjithë rajonit industrial, të njohur si Donbas.
Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase atje që nga viti 2014.
Të enjten, më 9 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qëndroi në Bruksel, prej ku kërkoi armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”./rel
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...