Kremlini tha të martën se tani për tani nuk ekziston nevoja për të hetuar rrethanat që çuan në sëmurjen e papritur të politikanit të opozitës Alexei Navalny dhe se diagnoza fillestare për helmim e dhënë nga një klinikë gjermane ende nuk është përfundimtare.
Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje të hënën Rusisë të hetonte helmimin e dyshuar të zotit Navalny dhe për të mbajtur autorët përgjegjës. Komentet e saj erdhën pasi mjekët gjermanë gjetën shenja të një lënde helmuese në trupin e tij.
Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se klinika gjermane nuk e kishte identifikuar përfundimisht lëndën në fjalë dhe se nuk ishte e qartë se përse mjekët gjermanë “nxituan” të përdornin fjalën helmim.
“Duhet të kesh një arsye për të nisur një hetim. Për momentin, si ju ashtu edhe unë shohim se pacienti është në gjendje kome,” u tha zoti Peskov gazetarëve në një konferencë telefonike.
Ai shtoi se nëse helmimi përcaktohej përfundimisht si shkaku i sëmundjes, atëherë do të hapej një hetim.
“Nëse substanca është identifikuar dhe është përcaktuar se bëhet fjalë për helmim, atëherë, natyrisht, kjo do të jetë arsye për një hetim,” shtoi zëdhënësi i Kremlinit.
Kërkesat për hetim po shtohen. Ministrja e jashtme e Suedisë, Ann Linde tha të martën në Twitter se “rrethanat në lidhje me helmimin e dyshuar të Navalny-t duhet të sqarohen nga një hetim i pavarur”.
Edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian Josep Borrell i kërkoi mbrëmë Rusisë të hetojë.
Alexei Navalny, një kundërshtar i hapur i Presidentit Vladimir Putin, u dërgua të shtunën në Gjermani për mjekim, pas krizës që pësoi në bordin e një avioni kur ishte duke u kthyer për në Moskë nga Siberia.
Mjekët gjermanë që trajtojnë zotin Navalny në një spital të Berlinit thanë të hënën se analizat mjekësore flasin për helmim me një lloj frenuesi të kolinesterazës, megjithëse lënda konkrete ende nuk dihet.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist