Një raport paraprak që po përgatitet për Senatin amerikan, i ka rënë në dorë gazetës Washington Post. Në raport thuhet se Rusia ka përdorur çdo platformë kryesore të medias sociale për t’u përcjellë dezinformim votuesve në mënyrë që të zgjidhej president Donald Trump.
E përditshmja shkruante në numrin e së dielës se raporti u përgatit nga Projekti i Analizimit të Propagandës nga Universiteti i Oksfordit dhe nga firma analitike Graphika.
Raporti thotë se shtetas rusë që punonin për një grup të quajtur Agjencia për Kërkime në Internet (IRA) filluan të eksperimentojnë në forma të ndryshme në median sociale për të ndikuar tek zgjedhjet vendore të 2009 dhe i zgjeruan operacionet në zgjedhjet e 2013 duke përdorur Twitter.
Gradualisht puna e tyre u shtri në platforma të tjera me përdorim të gjerë si YouTube, Facebook dhe Instagram.
Për fushatën presidenciale më 2016, raporti thotë se rusët u përpoqën të mobilizojnë votues konservatorë për të mbështetur Trump, duke theksuar tema si të drejtën e armëmbajtjes dhe imigracionin.
Njëkohësisht, operativë rusë u dërgonin mesazhe dhe informacione të tjera votuesve afrikano-amerikanë me synimin për t’i ngatërruar për procesin zgjedhor, përfshirë informacion çorientues mbi mënyrat e votimit.
Edhe grupime të tjera si liberalët, gratë, latino-amerikanët dhe veteranët u vunë në shënjestër nga kjo fushatë me informacion që ose theksonte bindjet e tyre ose përpiqej t’i shkurajonte që të mos votonin.
“Del qartë se të gjitha mesazhet ishin dukshëm në favor të Partisë Republikane dhe në veçanti të Donald Trump,” thuhet në raport, siç njofton gazeta Washington Post.
Gazeta thotë se raporti kritikon kompanitë e teknologjisë për “përgjigje të vonuar dhe mungesë bashkërendimi” kur u zbuluan përpjekjet ruse; po ashtu për vonesë në informimin e hetuesve për këto përpjekje.
Po ashtu raporti paralajmëron se media sociale po shndërrohet nga një mjet për “ndarje të eksperiencave të përbashkëta shqetësuese dhe koordinimit të angazhimit qytetar” siç ndodhi në Lindjen e Mesme, në një kërcënim për demokracinë nga “konsulentë politikë dinakë” dhe “nga politikanë si në vende demokratike ashtu edhe në regjime diktatoriale”.
Sipas gazetës Washington Post kompanitë Facebook dhe Google nuk kanë bërë komente për raportin. Por kompania Twitter thotë se ka ndërmarrë “masa të konsiderueshme që nga zgjedhjet e 2016 për të forcuar mbrojtjen digjitale”.
Shtetet e Bashkuara kanë ngritur zyrtarisht akuza penale ndaj Agjencisë ruse për Kërkime mbi Internetin lidhur me ndërhyrjet në zgjedhjet e 2016.
Prokurori Special Robert Mueller po heton nëse fushata zgjedhore e Trump kishte hyrë në bashkëpunim të fshehtë me rusët për të ndikuar tek zgjedhjet dhe nëse presidenti u mundua të pengonte drejtësinë me përpjekje për të minuar hetimet.
Presidenti Trump ka mohuar të ketë pasur bashkëpunim të fshehtë dhe e cilëson hetimin e Prokurorit Mueller “gjueti shtrigash”.
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...
Britania voton pro rregullave kundër duhanpirjes
Autogoli i Leipzigut e bën lider Interin në Ligën e Kampionë...
Big Brother Vip Albania, ja ndryshimet që do të ndodhin
Assesi të këndellet City, dështon të fitojë edhe ndaj Feynor...
Kryeministri libanez u bën thirrje palëve të zbatojnë dhe t&...