Rusia mbyll tubacionin kryesor të gazit Nord Stream 1

21:20 | 31 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes tubacionit të madh, Nord Stream 1, me pretendimin se nevojiten riparime.

Gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, tha se kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme.

Rusia tashmë ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit. Ajo mohon akuzat se ka përdorur furnizimet me energji si një armë lufte kundër vendeve perëndimore.

Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet 1200 km nën Detin Baltik, nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore.

Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.

Tubacioni u mbyll për 10 ditë në korrik – përsëri për riparime, sipas Rusisë – dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si një defekt në pajisjet shpërndarëse.

Presidenti i rregullatorit të rrjetit të Gjermanisë ka thënë se vendi do të jetë në gjendje të përballojë nevojat për konsum, nëse Rusia rifillon dërgesat në ditët në vijim.

“Unë supozoj se ne do të jemi në gjendje ta përballojmë atë,” tha Klaus Mueller për Reuters. “Unë besoj se Rusia do të kthehet në normën 20% të shtunën, por askush nuk mund ta thotë këtë me siguri.”

Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar.

Megjithatë, ndalimi i furnizimeve këtë të mërkurë nuk solli një rritje të menjëhershme të çmimit. Çmimi kryesor i gazit natyror në Mbretërinë e Bashkuar u ul në fakt me më shumë se 15% në tregje, që prej orës 14:00.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme