Rusia mbyll hapësirën ajrore mbi qytetet veriperëndimore, ndërprerje masive të WhatsApp dhe Telegram

18:25 | 21 Gusht 2024
KRG

Rusia ka vendosur të mbyllë aeroportet e saj në qytetet veriperëndimore të Murmansk dhe Apatity, e po ashtu ka kufizuar përdorimin e hapësirës ajrore mbi këto qytete.

Agjencia e lajmeve TASS raporton se masa të tilla zakonisht merren në Rusi për shkak të sulmeve të mundshme ose aktuale me dron të Ukrainës.

Një sulm i tillë ndodhi në orët e para të mëngjesit, Ku Kievi lëshoi një “shi” dronësh mbi Moskë, në atë që u përshkrua si një nga sulmet më të mëdha në kryeqytetin rus që nga fillimi i luftës në 2022.

Autoritetet ruse thanë se kishin shkatërruar të gjithë dronët që ishin nisur drejt kryeqytetit.

Sakaq, shërbimi shtetëror i monitorimit të telekomunikacionit të Rusisë po raporton ndërprerje masive në aplikacionet e mesazheve Telegram dhe WhatsApp.

Nuk sqarohet se çfarë mund t’i ketë shkaktuar ndërprerjet, por shërbimi i monitorimit DownDetector ka raportuar një rritje të raporteve të problemeve me rrjetin social Telegram këtë pasdite.

Ndërkohë, rusëve në Kursk u është kërkuar nga autoritetet vendase që të shmangin aplikacionet e takimeve online, për të parandaluar forcat e Kievit që të mbledhin informacione përmes inteligjencës.

Ministria e Brendshme e Moskës u tha banorëve, personelit ushtarak dhe policor në rajonet Bryansk, Kursk dhe Belgorod të shmangin “shërbimet e takimeve në internet”.

“Armiku përdor në mënyrë aktive burime të tilla për mbledhjen e informacionit”, thuhej në mesazhin paralajmërues në Telegram./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme