Infrastruktura në jug dhe veri të Ukrainës ishte cak i një sulmi në shkallë të gjerë me dronë gjatë natës të nisur nga territori rus, tha ushtria ukrainase më 18 nëntor.
Forcat ajrore ukrainase pretenduan se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 29 nga 38 dronët e prodhuar nga Irani, që u përdorën në sulm. Ky është numri më i madh i dronëve i lëshuar brenda një nate nga Rusia që nga 30 shtatori, sipas të dhënave të forcave ajrore.
“Fatkeqësisht, infrastruktura e një ndërtese të energjisë u godit në rajonin e Odesës”, u tha në njoftimin e komandës jugore të ushtrisë të publikuar në Telegram. “Një punëtor civil është plagosur dhe është hospitalizuar. Ndërtesa e administratës është dëmtuar. Ndërtesa u përfshi nga zjarri, por ai u shua shpejt”.
Dy ndërtesa po ashtu raportohet se janë dëmtuar në rajonin verior të Çernihivit, që gjendet në kufirin ukrainas mes Rusisë dhe Bjellorusisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pret që Rusia të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase të energjisë dhe ngrohjes para stinës së dimrit. Vitin e kaluar, miliona civilë mbetën pa energji elektrike dhe ngrohje për periudha të gjata kohore gjatë dimrit të ftohtë. Sulmet ruse gjatë dimrit ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase ishin parë si përpjekje e Moskës për të kthyer vullnetin e ukrainasve.
Zelensky tha më 16 nëntor se Rusia po “akumulon” raketa në përgatitje për sulmet e pritura, duke shtuar se mbrojtja ajrore e Ukrainës nuk do të ofrojë “100 për qind” mbrojtje, por që mbrojtja ajrore është më e mirë se vitin e kaluar.
Kievi po ashtu ishte cak i sulmeve me dronë gjatë natës, thanë zyrtarët. Sipas tyre, të gjithë dronët e lëshuar drejt kryeqytetit ukrainas u rrëzuan.
Në frontin jugor, komanda e forcave të armatosura tha më 18 nëntor se trupat “po vazhdojnë të mbajnë pozicionet në lindje të bregut të lumit Dnjepër” në territorin e pushtuar nga Rusia të rajonit jugor të Hersonit.
“Mbrojtësit tanë janë duke konsoliduar pozicionet e tyre dhe sulmet ndaj pushtuesve”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase duke njoftuar se operacionet po vazhdojnë në këtë rajon.
Forcat ukrainase po tentojnë të dëbojnë trupat ruse nga Dnjepëri me synim që të ndalin granatimet në zonat civile në perëndim të bregut, territor i kontrolluar nga Ukraina.
Ka pasur raportime se forcat ukrainase kanë transportuar pajisje të rënda ushtarake dhe trupa përtej lumit, duke nxitur sugjerimet se Kievi po tenton të shënojë përparim në frontin jugor dhe të hap një linjë të re të sulmeve direkte në Gadishullin e Krimesë.
Ky gadishull ukrainas në Detin e Zi është nën kontrollin e Rusisë që nga viti 2014, kur Moska e aneksoi atë paligjshëm./rel
Policia dhe Dogana parandalojnë një rast të kontrabandimit m...
SHBA do të paguajë gati 116 milionë dollarë për të burgosura...
Vinicius: Provuan dhe u munduan të më diskreditojnë, jam më ...
Ismet Bahtijari bën marrëveshje për pranimin e fajësisë
Jeta në Europë, Driloni thotë se gjermanet duan të martohen ...
Samiti në Bruksel mbledh liderët e BE-së dhe të Ballkanit Pe...