Rusia e ka bombarduar ashpër qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv, gjatë natës mes 30 dhe 31 dhjetorit, duke i dëmtuar ndërtesat e banimit, një klinikë mjekësore, një hotel dhe infrastruktura të tjera civile, thanë zyrtarët ukrainas.
Kryetari i Harkivit shkroi në rrjetin social Telegram se sulmi i shkaktoi “16 viktima”, pa dhënë hollësi. Zyra e Prokurorit e Ukrainës tha se 26 njerëz u lënduan.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se në mesin e viktimave ishte edhe një gazetar nga Britania e Madhe, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.
Njëra nga raketat ruse e goditi hotelin me pesë yje në Harkiv, Palace Hotel.
Ushtria e Ukrainës raportoi se sulmi u krye me disa dronë iraninë dhe raketa të shkrepura nga rajoni perëndimor i Rusisë, Belgorod.
Ky sulm ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse pretenduan se një sulm ukrainas i vrau 20 civilë në qytetin Belgorod, rreth 25 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë. Rreth 111 njerëz u plagosën, sipas autoriteteve ruse.
Radio Evropa e Lirë nuk ka qenë në gjendje t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Rusisë.
Ukraina nuk ka reaguar ndaj këtyre raportimeve.
Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 30 dhjetor, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, e akuzoi Ukrainën se përdori “municione thërrmuese” gjatë sulmit në Belgorod dhe tha se ai ishte një sulm “i qëllimshëm kundër caqeve civile”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Thomas Phipps, tha në seancë: “Nëse Rusia dëshiron ta fajësojë dikë për vdekjen e rusëve në këtë luftë, duhet ta fillojë nga presidenti (Vladimir) Putin”.
Incidenti në Belgorod ndodhi në një kohë kur Rusia kreu sulme të mëdha ajrore në Ukrainë, duke i vrarë rreth 40 njerëz dhe duke i plagosur mbi 160 të tjerë më 29 dhjetor.
Kievi e ka shpallur 1 janarin ditë zie, pasi 19 civilë u vranë vetëm në kryeqytetin ukrainas./rel
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve