Pas akuzave të Ukrainës se Rusia ka rritur praninë e trupave të saj në kufirin e përbashkët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se çdo përpjekje për “luftë të re” në lindje të Ukrainës, do të përfundonte me shkatërrimin e atij vendi.
Kërcënimi vjen në kohën kur Moska dhe Kievi fajësojnë njëri-tjetrin për rritje të dhunës në lindje të Ukrainës, ku konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë vazhdon qysh nga viti 2014.
Kievi pretendon se separatistët “po shkelin vazhdimisht armëpushimin” e rënë dakord në korrik dhe fajëson Rusinë për rritje të pranisë ushtarake në kufirin e tyre të përbashkët. Kremlini e hedh poshtë këtë akuzë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se ka biseduar me sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid, “për përkeqësimin e situatës së sigurisë në lindje të Ukrainës dhe në Krime”.
Lavrov tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë së voni se ata që përpiqen të nisin luftë të re në lindje të Ukrainës, “do ta shkatërrojnë” këtë vend.
Deklarata e Putinit mbetet aktuale edhe sot, tha Lavrov.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia “po i lëviz trupat brenda territorit të saj” dhe se “kjo nuk duhet ta shqetësojë askënd”.
“Ne duhet të bëjmë roje përballë aktivitetit intensiv të trupave të NATO-s në perimetrin e kufijve rusë”, tha Peskov.
Pas deklaratave të Lavrovit dhe Peskovit, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, paralajmëroi Moskën kundër “frikësimit” të Ukrainës.
“Jemi absolutisht të shqetësuar me përshkallëzimin e fundit të veprimeve agresive dhe provokuese ruse në lindje të Ukrainës”, u tha Price gazetarëve.
“Ne i kundërshtojmë veprimet agresive që kanë për qëllim të frikësojnë dhe të kërcënojnë partnerin tonë – Ukrainën”, shtoi ai.
Rusia, e cila ka aneksuar me forcë Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në luftimet në lindje të Ukrainës, pavarësisht provave për të kundërtën.
Konflikti në rajonet Luhansk dhe Donjeck ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë.
Misioni i OSBE-së në Ukrainë raportoi për qindra shkelje të armëpushimit atje, në ditët e fundit.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se “veprimet destabilizuese të Rusisë minojnë synimet për qetësi, të arritura përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OSBE-ja për armëpushim, në korrik të vitit të kaluar”.
Sipas Ushtrisë së Ukrainës, më 26 mars se katër ushtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në bombardimet në Donjeck.
Sipas saj, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë ukrainas qysh në muajin dhjetor ka arritur në 19.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, Ruslan Khomchak, ka thënë se Moska po rrit praninë ushtarake në kufi “nën maskën e përgatitjes për stërvitje strategjike”.
“Ne jemi duke u përgatitur për të gjitha provokimet dhe reagimet e mundshme ndaj veprimeve të armikut”, ka thënë Khomchak.
Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim para Parlamentit të Ukrainës, më 30 mars.
Komentet kanë nxitur reagimin e Putinit, i cili ka fajësuar Ukrainën për tensionet dhe i ka bërë thirrje Kievit që të përfshihet në dialog të drejtpërdrejtë me forcat lokale separatiste. /rel
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...