Rusia ka grumbulluar pajisje të rënda ushtarake, tanke dhe trupa luftarake pranë Ukrainës, reagon NATO

18:34 | 26 Nëntor 2021
A. B.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Rusia ka grumbulluar pajisje të rënda ushtarake, tanke dhe trupa të gatshme luftarake pranë Ukrainës, duke paralajmëruar se çdo përdorim i forcës kundër Ukrainës do të t’i kushtonte Moskës.

Stoltenberg tutje tha se priste që qeveria e re federale gjermane të shpenzonte më shumë për forcat e saj të armatosura dhe mirëpriti vendimin e saj për të vazhduar mbajtjen e armëve bërthamore perëndimore në Gjermani, shkruan ‘Reuters’ transmeton arbresh.info

“Unë pres që Gjermania të investojë më shumë në ushtrinë e saj”, tha Stoltenberg.

Për javë të tëra, zyrtarët perëndimorë kanë shprehur shqetësim në rritje për aktivitetin ushtarak të Moskës në kufirin ukrainas – derisa SHBA po konsideron implementimin e sanksioneve në rast se Rusia pushton Ukrainën.

“Ne nuk e dimë se cilat janë qëllimet e presidentit Vladimir Putin, por ne e dimë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, gjatë një udhëtimi në Senegal javën e kaluar.

Kreu i Agjencisë së Inteligjencës Mbrojtëse të Ukrainës, gjeneral brigade Kyrylo Budanov, i tha gazetës amerikane të mbrojtjes Military Times se Rusia po rrit nivelin e trupave dhe sistemet e armëve në Krime për një ofensivë që mund të vinte në çdo kohë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme