Google ADS

Rusia, Irani, Turqia diskutojnë për konfliktin në Siri

14:12 | 30 Korrik 2018
Arbresh.info

Përfaqësues të Rusisë, Iranit dhe Turqisë nisën bisedimet dyditëshe për Sirinë, në qytetin rus, Soçi.

Ministria e Jashtme ruse tha se disa tema janë në tryezën e diskutimeve, përfshirë formimin e një komiteti kushtetues të Sirisë, zonat e sigurta brenda Sirisë dhe çështjet humanitare.

Edhe pse mbështesin anë të ndryshme në konfliktin sirian, Turqia, Rusia dhe Irani e kanë nisur procesin e negociatave vitin e kaluar në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, duke diskutuar kryesisht për çështje si armëpushimi dhe zonat e sigurta.

Një proces tjetër i negociatave, i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara dhe i përqendruar në çështjet politike, është zhvilluar në Gjenevë.

Delegacioni rus në Soçi po udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm i Kremlinit për Sirinë, Aleksandr Lavrentyev.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Hossein Ansari, dhe zëvendësministri i Jashtëm turk, Sedat Onal, i përfaqësojnë vendet e tyre.

Në bisedime marrin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, dhe përfaqësues të Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Turqia tha të dielën se planifikon të mbajë një samit me Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, në fillim të shtatorit, për të diskutuar konfliktin në Siri dhe çështje të tjera rajonale.

Rusia, Franca apo Gjermania nuk e konfirmuan ende këtë takim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme