Rusia ia kthen Ukrainës tri anijet e sekuestruara

15:20 | 17 Nëntor 2019
L G

Rusia ua ka ndërruar vendndodhjen tri anijeve të sekuestruara muaj më parë nga Ukraina, duke lënë të kuptohet se mund t’i kthejë ato te pronari.

Tri anijet e sekuestruara u panë duke u larguar nga bregdeti i Gadishullit të Krimesë në ujërat e Detit të Zi në orët e hershme të së dielës. Ato përcilleshin edhe nga disa anije ruse.

Kjo lëvizje erdhi pas komenteve të ndihmësit të presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, se procesi i kthimit të anijeve nga Rusia në Ukrainë ka filluar.

Tri anijet ukrainase ishin sekuestruar nga Rusia pranë bregdetit të Krimesë në nëntor të vitit të kaluar.

Moska kishte deklaruar se këto anije kishin hyrë pa leje në ujërat e saj, ndonëse Ukraina e kishte mohuar një akuzë të tillë.

Në shtator, Rusia i liroi marinarët ukrainas të këtyre anijeve si pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve me Kievin.

Që nga ardhja në pushtet këtë pranverë, Zelenskiy ka marrë masa për të gjetur një rrugë për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

Ndryshe, në konfliktin mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia , i cili kishte filluar në vitin 2014, deri tash janë vrarë më shumë se 13 mijë njerëz.

Muajin e ardhshëm, liderët e Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të takohen në Paris në përpjekje për t’i dhënë fund këtij konflikti të përgjakshëm, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme