Rusia i ka vazhduar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës gjatë natës së 24 dhe 25 marsit, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në disa rajone.
Cak i sulmeve të natës ishte qyteti Mikolaiv. Kryetari i qytetit, Oleksandr Sienkevych, shkroi në Telegram se 11 civilë u plagosën dhe disa ndërtesa banimi u dëmtuan nga “rënia e mbetjeve”.
Vitaliy Kim, kryetar i administratës ushtarake rajonale të Mykolayiv, raportoi se një dron i prodhuar në Iran, Shahed, shkaktoi zjarr në objektin energjetik në këtë rajon.
Një sulm rus me dronë në qytetin e portit të Detit të Zi, Odesa, shkaktoi ndërprerje të rrymës.
“Infrastruktura energjetike është dëmtuar”, shkroi Oleh Kiper, kryetar i administratës ushtarake rajonale. “Nuk ka furnizim me rrymë në portin e Odesas. Të gjitha shërbimet emergjente po punojnë”.
Rusia i ka rritur sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës në ditët e fundit.
Më 23 mars, zyrtarët në Kiev raportuan se më shumë se 1 milion civilë kanë mbetur pa rrymë.
Volodymyr Kudrytskiy, kryetar i bordit të Ukrenerho, tha më 23 mars se vendi e ka rritur importin e rrymës nga Evropa, për të ndihmuar në kompensimin e humbjeve.
“Në shumë rajone, megjithatë, ka dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike. Kjo është shkaktuar nga shkalla e lartë se sulmeve”, tha ai.
Në rajonin e Harkivit, rreth 200.000 njerëz kanë mbetur pa rrymë, sipas kryetarit të administratës ushtarake rajonale.
Autoritetet lokale në rajonin e Harkivit kanë vendosur një sistem reduktimesh disa orëshe deri së paku më 31 mars.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 11 dronë ukrainas janë “interceptuar” mbi rajonin jugor rus, Rostov.
Guvernatori i këtij rajoni, Vasily Golubev, e postoi një video në Telegram ku shihet një zjarr duke shpërthyer në një termocentral të madh në këtë rajon. Vendësit kishin raportuar për disa shpërthime në këtë zonë.
Golubov tha se nuk ka viktima nga ky zjarr dhe se autoritetet kanë nisur një hetim për ta gjetur shkaktarin e tij./rel
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...