Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, u prit në Rusi në fillim të këtij muaji, teksa në anën tjetër Athina po përpiqet të bëhet një bazë operative e SHBA-së në rajon dhe tensionet vazhdojnë të rriten midis Perëndimit dhe Moskës për shkak të grumbullimit të forcave ruse në kufirin ukrainas.
Në takimin e tij të parë me presidentin rus Vladimir Putin që nga marrja e detyrës në vitin 2019, Mitsotakis vlerësoi lidhjet historike dhe kulturore midis dy vendeve dhe shfrytëzoi rastin për të akuzuar Turqinë për prishjen e stabilitetit dhe paqes rajonale me ambicie të supozuara ekspansioniste, ndër të tjera.
Putini, nga ana tjetër, nuk dukej se ishte dakord me kryeministrin grek për Turqinë, megjithëse ai shprehu synimet për përmirësimin e marrëdhënieve greko-ruse.
Në një intervistë televizive pas takimit, zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov shprehu pakënaqësinë e Moskës për zgjerimin e pranisë ushtarake të SHBA-së në Greqi, veçanërisht në portin veriperëndimor të Aleksandroupolisit.
Eksperti studimeve të Evropës Lindore dhe gazetari me përvojë Deniz Berktay, për Anadolu Agency (AA) tha se në krahasim me shtypin grek që e portretizoi takimin e Mitsotakisit me Putinin si një hap pozitiv dhe domethënës në lidhjet dypalëshe, mediat ruse ishin “më të përmbajtura”.
“Peskov, në të njëjtën intervistë… krahasoi gjithashtu marrëdhëniet ruso-turke dhe ruso-greke dhe tha qartë se të parat ishin më të përmirësuara”, tha Berktay, i cili është autor i një libri të fundit: “Patriarkana Ortodokse Greke dhe Lufta Ruso-Perëndimore”.
Duke vënë në dukje se Peskov, i cili njihet gjithashtu si ndihmës i ngushtë i Putinit, përmendi në mënyrë specifike termocentralin Akkuyu, një objekt i përbashkët bërthamor në Turqinë jugore me Rusinë, eksperti tha se ai foli gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes midis Moskës dhe Ankarasë.
“Më konkretisht, për marrëveshjen S-400 ndërmjet dy vendeve, Peskov nënvizoi se ato janë sisteme mbrojtëse që nuk paraqesin kërcënim për asnjë palë dhe vuri në dukje se Turqia, si vend i pavarur, ka të drejtë të blejë çdo lloj arme nga cilado palë”, shtoi ai.
“Siç thonë me entuziazëm grekët, dhe rusët, me më pak entuziazëm, dy kombet ndajnë lidhje të përbashkëta fetare dhe historike, të cilat në thelb filluan me konvertimin e rusëve në krishterimin ortodoks nga Perandoria Bizantine”, shpjegoi ai, duke shtuar se pas marrjes së Stambollit nga osmanët në vitin 1453, Rusia mbeti “fuqia e shquar ortodokse dhe e shtriu gjithnjë e më shumë patronazhin e saj në të gjitha komunitetet ortodokse në Lindjen e Afërt dhe në Ballkan, përfshirë grekët”.
– “Marrëdhëniet përcaktohen nga interesat dhe jo lidhjet historike”
Berktay nënvizoi se mbështetja ekonomike dhe politike ruse ishte thelbësore në pavarësinë përfundimtare të Greqisë nga Perandoria Osmane në vitin 1832.
“Megjithatë, një nga gjërat e para që bëri shteti i pavarur grek ishte shtypja e klikave pro-ruse në vend dhe pozicionimi i vetes brenda korit evropian”, theksoi Berktay.
“Duke qenë kështu, do të ishte e drejtë të pohohej se rusët e dinë se Greqia i përket botës perëndimore dhe marrëdhëniet dypalëshe përcaktohen nga interesat dhe jo nga lidhjet fetare apo historike”, shpjegoi ai.
Në lidhje me rritjen e pranisë ushtarake të SHBA-së në Greqi e cila mund të rezultojë në një bashkëpunim strategjik më të thellë dhe të gjerë midis dy vendeve, Berktay tha se kjo mund të shkaktojë “reagim më të fortë të Rusisë kundër Greqisë, duke përfshirë përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Turqinë”.
“Megjithatë, në këtë pikë, Rusia është ende e interesuar të menaxhojë marrëdhëniet e saj me Greqinë. Fakti që mospëlqimi i Rusisë për forcimin e marrëdhënieve greko-amerikane u shpreh nga Peskov, jo nga vetë Putini, tregon gatishmërinë e Rusisë për të menaxhuar marrëdhëniet e saj me Greqinë pavarësisht problemeve”, tha ai.
Rusia ushtron një “ndikim të rëndësishëm” mbi ortodoksët konservatorë dhe ruso-grekët që u zhvendosën në Greqi nga fundi i viteve 1980 e tutje, tha ai, duke shtuar se Moska nuk dëshiron ta humbasë këtë ndikim për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve dypalëshe.
“Përveç kësaj, ajo (Rusia) mendon se mund ta tërheqë Greqinë në një pozicion më neutral apo edhe pro-rus duke përdorur qarqet fetare dhe biznesore pro-ruse dhe segmente të caktuara të shoqërisë”, shtoi Berktay.
– Rreziqet e pranisë së SHBA-së
Viktor Litovkin, një ekspert i lartë rus i sigurisë dhe ish-oficer ushtarak i rangut të lartë, foli gjithashtu për AA mbi pozicionin e Rusisë përballë lidhjeve greko-amerikane dhe efektet e tyre në sigurinë rajonale.
Duke nënvizuar se Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht forcimin e pranisë ushtarake amerikane në vendet evropiane, ai tha: “Vetë shtetet, në këtë rast Greqia, nuk përfitojnë nga prania ushtarake amerikane, sepse kjo do të thotë ndërhyrje në punën e qeverisë së vendit”.
Litovkin shtoi se prania në rritje e SHBA-së në Greqi nuk do të kontribuojë në ndërtimin e paqes në rajon, por do të rezultojë në tensione më të mëdha në Detin Mesdhe dhe rreth Sirisë, si dhe në konfrontim midis Greqisë dhe Turqisë.
Ai nënvizoi gjithashtu se fakti që Greqia është në një distancë të madhe nga Rusia, nuk i zbut shqetësimet e Moskës, pasi armët moderne mund të godasin me shpejtësi të madhe dhe nga distanca të gjata, duke paraqitur një kërcënim edhe nga skaji tjetër i hemisferës.
“Populli grek në parim ka një qëndrim miqësor ndaj Rusisë. Por kjo nuk luan një rol të rëndësishëm sepse qeveria duhet të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në veçanti, detyrimet ndaj BE-së dhe NATO-s dhe direktivat e këtyre organizatave mbizotërojnë në situatën e brendshme për qeverinë greke”, tha Litovkin.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...