Rusia e pranon se Ukraina ia dëmtoi dy luftanije

16:22 | 13 Shtator 2023
E.K

Dy anije të ushtrisë ruse janë dëmtuar në një sulm të shkallës së gjerë të kryer nga Ukraina. Sulmi ndodhi në një bazë ku riparohen anijet në Krimenë e pushtuar nga Rusia, përderisa Kievi raportoi për sulme masive me dronë nga Rusia në infrastrukturën e portit në rajonin e Odesës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kantieri detar në Sevastopol, që shërben si bazë kryesore për Flotën ruse të Detit të Zi, u shënjestrua nga dhjetë raketa lundruese dhe tre dronë.

Kjo ministri tha se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan shtatë raketa, duke shtuar se anija patrulluese Vasily Bykov ka shkatërruar të gjitha anijet.

Por, zyrtarët rusë konfirmuan se dy anije janë dëmtuar dhe guvernatori i emëruar nga Moska, Mikhail Razvozhayev, tha se të paktën 24 persona janë plagosur.

“Të gjitha shërbimet emergjente po punojnë në vendngjarje, por nuk ka rrezik për objektet civile që gjenden në qytet”, shkroi Razvozhayev në Telegram.

Në kantierin strategjik detar në Gadishullin e Krimesë – që Rusia e aneksoi paligjshëm nga Ukraina më 2014 – ndërtohen dhe riparohen anije dhe nëndetëse të Flotës ruse të Detit të Zi. Kjo flotë ka kryer shumë sulme me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.

Razvozhayev publikoi fotografi ku shfaqej zjarr në infrastrukturën e portit. Kanalet ruse në Telegram kanë publikuar video dhe fotografi të një zjarri të madh në një ndërtesë pranë ujit.

Sulmi në Sevastopol vjen pasi Ukraina pretendoi më 11 shtator se kishte rimarrë kontrollin e platformave strategjike për shpimin e gazit dhe naftës në Detin e Zi, që Rusia kishte marrë nën kontroll më 2015. Rusia ka përdorur këto platforma për të vendosur armë dhe për të nisur sulme me helikopterë. Kievi tha se rimarrja e platformave do t’i shërbejë që të marrë kontrollin e Krimesë.

Mykola Oleshchuk, komandant i Forcës Ajrore të Ukrainës shkroi në Telegram se “përderisa pushtuesi po tenton të rimëkëmbet nga bombardimet gjatë natës në Sevastopol, dua të falënderoj pilotët e Forcës Ajrore ukrainase për punën e shkëlqyer”.

Ndërkaq, infrastruktura në portin e Izmailit po ashtu u dëmtua më 13 shtator pas një sulmi të ri me dron nga Rusia, tha Oleh Kiper, guvernator i rajonit të Odesës.

“Është raportuar për dëme në port dhe infrastrukturë tjetër civile”, shkroi ai në Telegram, duke shtuar se gjashtë persona janë plagosur, tre prej të cilëve janë në gjendje serioze.

Më vonë gjatë ditës, Forca Ajrore ukrainase tha se ka arritur të pengojë 32 nga 44 dronët e llojit Shahed mbi Ukrainë gjatë natës. Shumica e tyre ishin nisur drejt porteve jugore në rajonin e Odesës.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase prej ku eksportohen drithërat, pasi në korrik u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia. Kjo marrëveshje mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase nga portet në Detin e Zi./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme