Rusia e ka akuzuar Ukrainën se është mbrapa sulmeve me dronë që i kanë dëmtuar të paktën dy ndërtesa në Moskë, në mëngjesin e së hënës.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se dy dronët janë “shtypur dhe shkatërruar”, mirëpo nuk ka të vdekur.
Agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ka raportuar se një dron ka rënë afër Ministrisë së Mbrojtjes.
Zyrtarët ukrainas nuk janë deklaruar ende, mirëpo ata rrallë e marrin përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se sulmet me dronë i kanë goditur ndërtesat “jo të banueshme” rreth orës 4:00 të mëngjesit.
Ai ka thënë se ndërtesat nuk kanë pësuar ndonjë dëm të madh.
Moska e ka akuzuar edhe në të kaluarën Ukrainën për kryerje të sulmeve me dronë.
Më herët gjatë këtij muaji, Rusia ka thënë se Ukraina ka nisur sulme me dronë në Moskë, duke rezultuar me ndërrim të kahes së fluturimeve që do të duhej të ateronin në Aeroportin ndërkombëtar Vnukovo.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.
Më herët, në maj, Kievi e ka mohuar kryerjen e një sulmi me dronë në Kremlin, të cilin Rusia e ka konsideruar si tentim-vrasje ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Rusia akuzon Ukrainën se tentoi ta vrasë Putinin, Zelensky mohon akuzat
Incidenti i së hënës vjen një ditë pasi Rusia e ka shënjestruar qytetin ukrainas të Odesës, me sulme të reja raketore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar për hakmarrje.
“Definitivisht, ata do të përjetojnë këtë”, ka thënë ai përgjatë një adresimi në mbrëmje.
“Shënjestra të raketave nuk janë vetëm qytetet, fshatrat apo njerëzit. Shënjestër është njerëzimi dhe themelet e gjithë kulturës sonë evropiane”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...