Rusia tha të hënën se do të organizojë një stërvitje ushtarake gjithëpërfshirëse në lindje të vendit që do të përfshijë trupa nga Kina, një shfaqje e lidhjeve gjithnjë e më të ngushta ushtarake midis Moskës dhe Pekinit mes tensioneve me Perëndimin lidhur me sulmin e Kremlinit në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitja “Vostok 2022” do të mbahet nga 1 deri më 7 shtator në vende të ndryshme në Lindjen e Largët të Rusisë dhe Detin e Japonisë.
Në këtë stërvitje do të marrin pjesë më shumë se 50,000 trupa, mbi 5,000 njësi armësh, duke përfshirë 140 avionë dhe 60 luftanije.
Ministria ruse e mbrojtjes publikoi një video të trupave kineze duke mbërritur në Rusi në përgatitje për stërvitjen.
Stërvitja do të zhvillohet në shtatë poligone të ushtrisë ruse dhe do të përfshijë trupa nga disa vende ish-sovjetike, Kina, India, Laosi, Mongolia, Nikaragua dhe Siria.
Ushtria ruse theksoi se kjo është pjesë e stërvitjeve luftarake të planifikuara, të cilat po vazhdojnë pavarësisht aksionit ushtarak të Moskës në Ukrainë.
Ajo nuk ka bërë të ditur numrin e trupave të angazhuara në atë që Kremlini e quan “operacioni ushtarak special” atje.
Ministria ruse e mbrotjes vuri në dukje se në kuadër të stërvitjes, marina ruse dhe ajo kineze në Detin e Japonisë do të “praktikojnë veprime të përbashkëta për të mbrojtur komunikimet detare, zonat e aktivitetit ekonomik detar dhe mbështetjen për trupat tokësore në zonat bregdetare”.
Stërvitja pasqyron lidhjet në rritje në fushën e mbrojtjes midis Moskës dhe Pekinit, të cilat janë forcuar që kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
Kina ka refuzuar të kritikojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për provokim të Moskës, dhe ka kritikuar sanksionet ndëshkuese të Perëndimit ndaj Kremlinit./voa/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...