Rusia dhe Ukraina po shkëmbejnë të burgosurit

21:05 | 2 Shtator 2019
Arbresh.info

Një shkëmbim i të burgosurve po zhvillohet midis Rusisë dhe Ukrainës, sipas një deklarate nga zyra e presidentit të Ukrainës.

Deklarata nuk bënte të ditur se cilët të burgosur po shkëmbehen, duke thënë vetëm se procesi ishte “në vazhdim”.

Por, një prokuror ukrainas më herët tha se ata që janë liruar përfshijnë regjisorin Oleg Sentsov dhe 24 marinarë ukrainas që u arrestuan vitin e kaluar.

Nuk ka asnjë konfirmim të shkëmbimeve nga ana e Rusisë.

Ndërkohë u raportua se të afërmit e disa prej të burgosurve po mblidheshin në aeroporte të Kievit.

Informacionet për shkëmbim të të burgosurve, u përhapen ditët e fundit, dhe si arsye për këtë ishte zhvendosja e regjisorit Sentsov nga një burg në Arktikun e Rusisë për në Moskë.

Gazeta Kommersant citoi burime nga zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelenskiy, të kenë thënë se shkëmbimi mund të ndodhte deri në fund të muajit gusht.

Kush janë të burgosurit?

Regjisori Oleg Sentsov u arrestua gjatë një proteste kundër aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, dhe u shpall fajtor për komplot të akteve terroriste.

Ai mohoi akuzat përderisa Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe vende tjera thanë se gjyqi i tij ishte i motivuar politikisht.

Marinarët e ndaluar u kapën së bashku me tre anije detare, ndërsa ata u përpoqën të kalojnë përmes ngushticës Kërç, e vetmja çasje në portet e Ukrainës në Detin e Azovit.

Në muajin maj një gjykatë ndërkombëtare urdhëroi Rusinë të lirojë marinarët dhe anijet.

Një avokat rus tha për agjencinë e lajmeve Tass se disa të burgosur rusë po përgatiteshin për një shkëmbim të mundshëm. Sipas avokatit, ata janë persona të dënuar për komplot të sulmeve në Ukrainë.

A shënon kjo shtensionimin e raporteve të Ukrainës me Rusinë?

Kievi ka thënë se Rusia në mënyrë të paligjshme mban rreth 150 shtetas ukrainas në territorin e saj shkruan REL

Lista e qytetarëve rusë që mund të përfshihen në shkëmbim nuk është bërë kurrë publike.

Presidenti i ri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky – kur e mori detyrën në fillim të këtij viti – tha se përfundimi i konfliktit me rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje do të ishte përparësia e tij kryesore si president.

Luftimet në rajon kanë marrë jetën e rreth 13.000 njerëzve që nga viti 2014, pavarësisht një marrëveshjeje të dështuar të armëpushimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme