Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping u shfaqën në një front të bashkuar gjatë një takimi virtual këtë javë mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin. Por, analistët thonë se partneriteti Kinë-Rusi është i kufizuar në disa fusha strategjike.
Mediat ruse dhe kineze i kushtuan vëmendje të madhe takimit virtual të mërkurën mes presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping. Zoti Putin u bë udhëheqësi i parë i madh botëror që deklaroi se do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kishin njoftuar një bojkot diplomatik.
Nga ana e tij, presidenti kinez Xi u zotua për mirëkuptim dhe mbështetje për grumbullimin e trupave ushtarake nga zoti Putin përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën, një veprim që ka alarmuar Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, të cilët thonë se një tjetër pushtim rus i ngjashëm me atë të Krimesë në vitin 2014, do të sillte “pasoja të rënda” për Moskën.
Disa ekspertë mendojnë se zoti Putin po vë në provë Presidentin Joe Biden me një shfaqje force.
“Kremlini, po sheh një moment të përshtatshëm për të ushtruar trysni mbi Uashingtonin. Pikërisht tani, kur mendon se vëmendja e Shtetet e Bashkuara është e përqendruar tek Kina”, thotë ekspertja Maryna Vorotnyuk nga Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve.
Ekspertë të tjerë theksojnë se takimi virtual mes presidentëve Putin dhe Xi ishte një “teatër” diplomatik, por shtojnë se të dy udhëheqësit duket se kanë një marrëdhënie të mirë.
“Duket se ata kanë një marrëdhënie të mirë mes tyre, e cila është domethënëse. Është gjithashtu disi e qartë se ata po projektojnë një vizion të përbashkët, se ata kanë një marrëveshje të caktuar për një botë, në të cilën vende si Rusia dhe Kina luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe i përcaktojnë rregullat e angazhimit. Ajo që në mënyrë indirekte kuptohet nga kjo qasje është se ata mendojnë se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejohen të dominojnë në këtë aspekt”, thotë eksperti Michael Kimmage nga Fondi Gjerman Marshall.
Zoti Kimmage thekson se lidhjet ekonomike midis dy vendeve po lulëzojnë sepse Kina është një treg i madh për industrinë ruse të energjisë.
“Ky është sigurisht një faktor thelbësor për ekonominë ruse. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në një moment tensioni real midis Evropës dhe Rusisë.”
Zoti Kimmage thotë se pavarësisht premtimeve të tyre për një aleancë miqësore, nuk ka gjasa që presidentët Xi dhe Putin të mund të llogarisin në përkrahjen e njëri-tjetri për mbështetje ushtarake në rast të një konflikti serioz me Shtetet e Bashkuara, qoftë në Ukrainë apo në Tajvan. Alexander Gabuev i Qendrës Carnegie në Moskë sheh kufizime të natyrshme në partneritetin mes Kinës dhe Rusisë.
“Mendoj se Rusia dhe Kina duanë të ruajnë me vendosmëri autonominë e tyre strategjike. Ka nacionalizëm të rrënjosur thellë. Ka njëfarë niveli mosbesimi dhe konkurrence në shumë nga ato fusha, ku duket se ka një hapësirë të logjikshme bashkëpunimi, si programet hapësinore”, thotë ai.
Ekspertët thonë se një aleancë më e ngushtë midis Kinës dhe Rusisë përbën një sfidë për Presidentin Joe Biden, i cili duhet të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe të mbajë një qëndrim të fortë për çështjet shqetësuese, si integriteti territorial i Ukrainës./VoA/
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist
Studimi: Konsumi i lartë i sheqerit rrit rrezikun për depres...