Një gjykatë në Rusi ka dënuar dy ushtarë rusë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një familjeje prej nëntë personash, pas hyrjes në shtëpinë e tyre në Ukrainën e pushtuar.
Ky është një rast i rrallë ligjor kundër krimeve të luftës të kryera nga ushtarët e Moskës gjatë luftës në Ukrainë.
Anton Sopov dhe Stanislav Rau, dy ushtarë kontraktues nga Rajoni i Lindjes së Largët të Rusisë, u gjetën fajtorë të premten për përdorimin e armëve të pajisura me silenciatorë për të vrarë familjen për shkak të “urrejtjes politike, ideologjike, racore, kombëtare ose fetare”, raportuan agjencitë e lajmeve shtetërore ruse.
Vrasjet ndodhën në tetor të vitit 2023 në qytetin ukrainas të Volnovakha, një qendër logjistike në juglindje të Ukrainës, të cilën forcat e Moskës e pushtuan disa javë pas nisjes së pushtimit të plotë të Rusisë më shumë se dy vjet më parë.
Rasti u shqyrtua pas dyerve të mbyllura nga një gjykatë ushtarake në qytetin rus të Rostov-on-Don. Sopov, 21 vjeç, dhe Rau, 28 vjeç, u shprehën të pafajshëm dhe kanë në plan të apelojnë vendimin, sipas gazetës ruse “Kommersant”.
Gjatë luftës, ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm nuk kanë mundur të shmangin dënimin e tyre duke nënshkruar një kontratë tjetër për të luftuar në ushtrinë e Rusisë në Ukrainë, shkruan The New York Times, përcjell Klankosova.tv.
Që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, zyrtarët ukrainas, prokurorët dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar shpesh forcat ruse për krime kundër civilëve, përfshirë raste torturash, përdhunimesh dhe ekzekutimesh.
Zyrtarët rusë kanë mohuar këto akuza, megjithëse ekzistojnë prova dhe dëshmi të dokumentuara nga hetuesit ukrainas dhe ndërkombëtarë.
Moska ka akuzuar gjithashtu Kievin për falsifikimin e provave për të njollosur forcat ruse.
Megjithatë, vrasja e familjes me nëntë anëtarë shkaktoi tronditje në Ukrainë dhe më gjerë, pasi fotografitë e trupave u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, duke e vënë Rusinë nën një presion të madh publik dhe duke shtyrë hetuesit rusë të hapnin një hetim penal.
Viktimat ishin një çift i martuar, Eduard Kapkanets, 53 vjeç, dhe Tatiana Kapkanets, 51 vjeç; djali i tyre, Andrei, 31 vjeç, dhe gruaja e tij, Natalia; si dhe një tjetër djalë, Aleksandr, 25 vjeç, gruaja e tij, Yekaterina, 27 vjeç, vajza e tyre 9-vjeçare, Anastasia, dhe djali 4-vjeçar, Nikita; si dhe vëllai i Yekaterinës, Dmitri, 20 vjeç, raportoi “Kommersant”.
Sipas gazetës, një nga teoritë që janë paraqitur nga hetuesit ishte se familja po shiste alkool ilegal në shtëpi dhe se Sopov dhe Rau donin ta merrnin falas.
Një tjetër teori është se Eduard Kapkanets i kishte kërcënuar ushtarët pasi ata kishin shkuar të dehur në një dyqan në qytet.
Prokurorët ukrainas, të cilët po hetonin gjithashtu vrasjet, thanë se familja kishte refuzuar të largohej nga shtëpia për t’i lënë vend një njësi ruse dhe se ushtarët ishin kthyer disa ditë më vonë dhe kishin “vrarë të gjithë nëntë anëtarët e familjes, që ishin tashmë të fjetur”.
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...