Duma ruse, Dhoma e Ulët e Parlamentit, e ka miratuar një traktat për partneritet strategjik me Korenë e Veriut, e cila ua mundëson atyre ta mbështetin njëra-tjetrën me “ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera”.
Për traktatin, e aprovua më 24 tetor, u pajtuan në qershor në Phenian presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Ky traktat e rrit shkallën e bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve.
Ai përmban edhe një fjali e cila thekson se, nëse njëra palë sulmohet dhe e gjen veten në gjendje lufte, atëherë pala tjetër duhet patjetër “menjëherë t’i dalë në ndihmë ushtarakisht dhe në mënyra të tjera me të gjitha mjetet në dispozicion”.
Nuk është e qartë se si mund të interpretohet kjo klauzolë, por Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë rishtazi se kanë dëshmi së trupat koreanoveriorë ndodhen në Rusi dhe se duket se po kryejnë stërvitje.
Dërgimi i trupave e rrit mundësinë që ushtarët koreanoveriorë mund t’i bashkohen trupave ruse në luftën në Ukrainë, e cila është duke vazhduar nga viti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 23 tetor se Koreja e Veriut mund të përballet me pasoja për ofrimit të ndihmës së drejtpërdrejt Rusisë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Shtëpia e Bardhë beson se të paktën 3.00 ushtarë koreanoveriorë udhëtuan me anije për në Vladivostok të Rusisë në fillim të tetorit.
Zëdhënësi i NATO-s, Farah Dakhlallah, tha se aleatët janë duke e diskutuar këtë çështje, duke shtuar se, nëse është e vërtetë, “do të shënojë përshkallëzim të madh në mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftën e saj të jashtëligjshme, si dhe do të ishte shenjë tjetër për humbjet e mëdha të Rusisë në vijën e parë”.
Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës më 18 tetor e postoi një video për të cilën tha se shfaqte trupat koreanoveriorë duke u përgatitur në terrenin stërvitor Sergievski të Rusisë, për t’u zhvendosur në Ukrainë.
Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e Koresë së Jugut në të kaluarën se Pheniani e ka furnizuar Moskën me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.
Por, Kremlini nuk ka komentuar mbi pretendimet e fundit nga Seuli dhe Zelensky, i cili më 14 tetor tha se “tani nuk bëhet fjalë vetëm për transferimin e armëve. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut në forcat ushtarake okupuese”./rel/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...