Google ADS

Rusia akuzon për spiunazh ish-punonjësin e konsullatës amerikane

16:52 | 28 Gusht 2023
Orgesa Haziri

Agjencia ruse e sigurisë (FSB) bëri të ditur të hënën se një ish-punonjës i konsullatës amerikane në Vladivostok, ishte akuzuar për mbledhje të informacioneve lidhur me luftën në Ukrainë e protestat në Rusi, për llogari të Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë të agjencisë thuhej se Robert Shonov kishte mbledhur informacione që nga shtatori 2022, përfshirë dhe informacione mbi fushatën e rekrutimit ushtarak të Rusisë.

Në maj, pas njoftimeve për arrestimin e zotit Shonov Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi aktin, duke thënë se akuzat kundër tij ishin “krejtësisht të pabaza”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller, tha në një deklaratë se zoti Shonov ka punuar në konsullatë për më shumë se 25 vjet, përpara se të punësohej nga një agjenci e jashtme që ofronte shërbime për Ambasadën amerikane në Moskë.

“Roli i vetëm i zotit Shonov në kohën e arrestimit të tij ishte të përpilonte përmbledhje mediatike të artikujve të shtypit, nga burime të mediave ruse, të disponueshme publikisht”, tha zoti Miller. “Vendosja në shënjestër i tij nënvizon përdorimin flagrant që Rusia u bën ligjeve gjithnjë e më represive kundër qytetarëve të saj”, shtoi ai.

Ndërkohë sot ushtria e Ukrainës njoftoi për sulme me raketa ruse gjatë natës, ndërsa Moska tha se Kievi lëshuar disa dronë që kishin në shënjestër territorin rus.

Shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha se mbrojtja ajrore kishte arritur të shkatërronte katër raketa ruse, por megjithatë një strukturë industriale civile, ishte goditur në rajonin e Poltavas.

Shefi i shtabit të presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, shkruante në rrjetin social Telegram se si pasojë e sulmit në Poltava ishin vrarë dy persona, në një fabrikë vaji vegjetal.

Guvernatori rajonal Dmytro Lunin, tha se dy persona të tjerë ishin dërguan në spital me lëndime të lehta.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Malyar tha të hënën se trupat ukrainase kishin çliruar qytetin Robotyne. Zona ka qenë vendi i luftimeve në rajonin e Zaporizhias, ndërsa Ukraina po përpiqet të rimarrë territorin pjesë e kundërofensive disa mujore.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të hënën se kishte rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Lyubertsy-t, në juglindje të Moskës. Ashtu si dhe gjatë sulmet e tjera të fundit me dron pranë kryeqytetit rus, operacionet e fluturimit në aeroportet në rajon u ndërprenë përkohësisht.

Rusia raportoi gjithashtu se kishte rrëzuar dy dronëve ukrainas mbi rajonin Bryansk, në kufi me Ukrainën./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme