Rusët kapin dy luftëtarë amerikanë në Ukrainë

23:17 | 15 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Dy ish-ushtarë amerikanë u kapën gjatë një përleshjeje me forcat ruse në Ukrainë, raportoi British Telegraph.

Kjo është hera e parë që luftëtarët amerikanë janë kapur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, transmeton portal arbresh.info

Alexander Drueke, 39 vjeç dhe Andy Huynh, 27 vjeç, u kapën gjatë një beteje të ashpër pranë Kharkiv javën e kaluar, thonë bashkëluftëtarët e tyre. Drueke dhe Huynh shërbyen si vullnetarë brenda njësisë së rregullt të ushtrisë ukrainase.

Kujtojmë, gjykata e panjohur ndërkombëtarisht e Republikës Popullore të vetëshpallur pro-ruse të Donetskut dënoi kohët e fundit me vdekje dy vullnetarë britanikë të kapur në Mariupol.

Kapja e dy amerikanëve në Ukrainë, shkruan Telegraph, do të jetë diplomatikisht e ndjeshme sepse Kremlini mund të përpiqet ta përdorë këtë ngjarje si provë se Amerika është e përfshirë drejtpërdrejt në luftë.

Sipas medias britanike, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka të ngjarë të kërkojë lëshime të mëdha për t’i liruar ata.

Një bashkëluftëtar i dy amerikanëve të kapur, i cili foli për Telegraph, në kushte anonimiteti, tha se ata u kapën pasi u përplasën me një njësi të madhe ruse të enjten e kaluar.

“Ne ishim në një mision dhe kishim informacione të pasakta. Na thanë se qyteti ishte i pastër, por më pas dolën rusët që po na sulmonin”, tha ai.

“Ata erdhën në rrugë me dy tanke T-72 dhe më shumë automjete të blinduara dhe rreth 100 ushtarë. Gjithçka që kishim atje ishte njësia jonë prej rreth 10 personash,” shtoi ai.

“Ne morëm një pozicion mbrojtës dhe Drueke dhe Huynh gjuajtën një raketë në automjetin rus dhe e shkatërruam atë. Kjo për fat të keq, tërhoqi vëmendjen e një prej tankeve ruse, i cili edhe gjuajti në drejtimin tonë”, tha ai.

Rusët kishin konfirmuar kapjen e dy amerikanëve, ndërsa më pas edhe Ukraina e ka konfirmuar rastin.
/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme